Aplikacion
Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka reaguar sërish në rrjetet sociale ndaj Dea Mishel, duke publikuar diplomat dhe listën e notave të saj, pasi influencerja e quajti “analfabete funksionale”.
Ligjvënësja socialiste, e njohur për gafat e saj brenda Parlamentit dhe jo vetëm, shprehet se ka përballuar vështirësi ekonomike, madje duke shkuar në shkollë dhe pa ngrënë, por theksoi se ato nuk e kanë penguar të përfundojë studimet me rezultate të larta.
Ndërsa i ka kujtuar Dea Mishel deklaratat e saj lidhur me fëmijët jetë, duke u shprehur se influencerja është “idiote e ligë”.
“Këto më poshtë janë diploma dhe lista ime e notave. Ka pasur ditë që kam shkuar në shkollë pa ngrënë, ka pasur ditë dimri të ftohta që këpucët më fusnin ujë, por asgjë nuk më ka penguar. Kam luftuar për këtë diplomë dhe madje që të dilja me 10, për t’ia mbyllur gojën ca qenieve si ty, ca qenieve që turpërojnë femrat, ca mishrave në shitje me flokë, dhëmbë e gjithçka fallco.
Ti nuk je vetëm idiote, se kjo të falet, por ti je një idiote e ligë, që tallesh me jetimët, të pamundurit dhe hallexhinjtë. Ti je turpi i grave dhe ajo që askush nuk do të dëshironte të ishte. Tani u pa puna, do të merremi edhe me ty”, shkroi deputetja socialiste, krahas fotove të diplomave.
Gjithashtu, ajo postoi edhe video e Dea Mishel lidhur me jetimët. Në postimin e saj ajo ka bërë një batutë për fëmijët jetimë duke thënë: “Fëmijët jetimë kur u kërkohet të vizatojnë shtëpi, vizatojnë një shtëpi normale apo një institucion.”
Si nisi perplasja
Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, u përfshi në një përplasje të drejtpërdrejtë me influenceren Dea Mishel, pasi kjo e fundit reagoi ndaj kryeministrit Edi Rama, lidhur me deklaratat e tij për blogerët që kanë mbështetur protestën për dorëheqjen e tij.
Në postimin e saj, blogerja i kujtoi kryeministrit Edi Rama se, ndryshe nga shumë vajza të artikuluara dhe të arsimuara në rrjetet sociale, në Parlament ka edhe përfaqësues që, sipas saj, nuk zotërojnë njohuri bazë, duke përmendur deputeten socialiste.
Zegjine Çaushi ka reaguar ashpër ndaj influenceres e cila i është drejtuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale me tone të ashpra dhe ofenduese.
“Të bësh ironi ti shëmtirë është fundi i botës”, ka shkruar deputetja në një mesazh drejtuar Dea Mishel Hoxhës.

Nga ana e saj, influencerja i është përgjigjur me ironi, duke e cilësuar reagimin si tipik dhe duke e etiketuar si “analfabete funksionale”, ndërsa shtoi se nuk e merr personalisht debatin.
“Hahahahaha o yll, je fiks çfarë pres nga një analfabete funksionale… Ti si e ke planin, do mësosh shqip?”, ishte një prej përgjigjeve të saj.
Debati ka vijuar të marrë vëmendje të gjerë në rrjet, duke ndarë opinionin publik mes mbështetësve të dy palëve dhe duke rikthyer diskutimin për gjuhën e përdorur në komunikimin publik mes figurave politike dhe personazheve të njohur të rrjeteve sociale.