zoom

In Zoom

Shifrat e reja, si po çmontohet afera e zgjatjes me 20 vjet të koncesionit të Aeroportit të Tiranës

Me 7 milionë pasagjerë vitin e kaluar, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës arkëtoi 4.2 miliardë lekë ose 42 milionë euro fitim. Të dhënat e publikuara në QKB, të botuara fillimisht nga revista Monitor, treguan se fitimi ishte rritur me 15 % krahasuar me vitin 2022 dhe se të ardhurat ishin 10 miliardë lekë, me një rritje 22 %.

Këtë vit që po mbyllet, aeroporti parashikohet të regjistrojë 10 milionë pasagjerë. Fitimi, sipas raportit pasagjer – fitim të vitit 2023, pritet të jetë afro 6 miliardë lekë ose 60 milionë euro.

Në vitin 2021 fitimet ishin me 30 milionë euro, duke realizuar vetëm në 3 vitet e para 130 milionë euro.

Kjo shumë është mjafton për të shlyer blerjen prej 70 milionë eurosh të koncesionit nga “China Everbright” dhe për të mbuluar investimet e kryera.

17 vite të tjera, të gjitha do të jenë fitime për kompaninë. Nëse fitimi vjetor do të jetë si këtë vit prej 60 milionë eurosh edhe për 17 vitet e ardhshme, fitimi total i kompanisë në fund të koncesionit përllogaritet të jetë plus 1 miliardë euro.

Në këtë mënyrë, koncesioni i Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza në Tiranë do të jetë koncesioni më fitimprurës në historinë e Shqipërisë. Aktualisht, Tirana International Airport është kompania më fitimprurëse e Grupit Kastrati, e cila sjell më shumë fitime se të gjitha kompanitë e tjera të këtij grupi të marra së bashku.

Sipas revistës Monitor, “Kastrati Group” kishte 8.1 miliardë ose 80 milionë euro fitime për vitin 2023. Nga këto, 4.2 miliardë janë fitime nga koncesioni i Aeroportit të Tiranës dhe 3.9 miliardë janë fitime të të gjitha kompanive të tjera, si: koncesioni i portit të Porto Romanos, ai i Rrugës së Kombit, tregtia me shumicë dhe pakicë e naftës apo kompanitë që operojnë në fushën e ndërtimit.

Për më tepër, koncesioni i Aeroportit të Tiranës sjell edhe 707 milionë të tjera në xhepin e kompansië nëpërmjet kompanisë tjetër “Albanian Aviation Management” që i merr paratë nga shërbimi që kryen për koncesionin e Aeroportit. Në total, nga 81 milionë euro fitime, 49 milionë euro Kastrati Group i merr nga Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza dhe vetëm 32 milionë i merr nga kompanitë e tjera.

Nga koncesionet në total Kastrati Group merr 57 milionë euro dhe nga bizneset që nuk janë të lidhura me shtetin merr 24 milionë euro.

Shifrat mbi fitimet që realizon koncesioni i Aeroportit të Tiranës zbulojnë vit pas viti prapaskenat e dhënies së koncesionit. Ku Kastrati Group e mori koncesionin nga kinezët e “China Everbright”, ai kishte edhe 7 vjet të tjera afat për ta menaxhuar aeroportin. Por qeveria vendosi t’ia shtojë edhe 13 vjet të tjera kontratën me juftifikimin se kjo kohë do i duhej që të realizonte një investim prej 100 milionë eurosh.

Siç tregojnë të dhënat, për investimin dhe blerjen mjaftuan fitimet e 3 viteve të para. 4 vite që mbeteshin nga kontrata e blerë nga kinezët do t’i mjaftonin kompanisë për të realizuar fitimet e saj, madje më shumë sesa mund të kishte parashikuar. Ndërsa zgjatja me 13 vjet të tjera rezluton që të jetë e tepruar dhe ngre dyshime se gjithcka është bërë për të favorizuar një kompani private, që siç rezulton, aty ka edhe burimin kryesor të fitimeve të saj në tregun shqiptar. /Zoom.al

Postime të lidhura