zoom

Aktualitet

Denoncimi i Shehajt: Aeroporti i Tiranës, monopol! Të kishin shqiptarët mundësitë e Kastratit…

Deputeti demokrat, Agron Shehaj ka denoncuar publikisht një prej biznesmenëve shqiptarë që është mes atyre që kanë përfituar më shumë kontrata qeveritare. Fjala është për Shefqet Kastratin.

“Të kishin shqiptarët mundësitë që ka Kastrati, do ishin bërë të gjithë biznesmenë” – i tha ai një grupi mbështetësish, duke u foksuar në një prej kontratave qeveritare më të dyshimta dhe më të përfolura që ka Kastrati: Aeroportin e Tiranës.

“Po nuk do shumë mend, kujtdo nga ju t’i falin Aeroportin, shkëlqen dreqi ta marrë se e ka monopol. Nëse do t’i hipësh avionit, do t’i hipësh atje në Tiranë. Si mund të dështosh, shqiptarët ikin, i duhet avioni për të ikur, shqiptarët kthehen sepse duan të takojnë familjarët e tyre, normal që do të rritet” – u shpreh Shehaj.

“Kanë ikur 1 mln shqiptarë në 10 vitet e fundit, këta do të vijnë ndonjëherë në Shqipëri, do të kthehen të takojnë familjarët e tyre. Po prindërit e tyre do të ikin jashtë ti takojnë dhe këta na mburren se kanë përzënë 1/3 e popullsisë dreqi ta marri”. 

 

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by zoom.al (@zoom.al)

 

Shehaj bëri deklaratën duke iu referuar vendimit të qeverisë për t’i dhënë Shefqet Kastratit aeroportin e Rinasit me koncesion për 20 vite me pretendimin se do bëjë 100 mln euro investime. Ky aeroport është aktualisht në pozitat e monopolit, pasi në vend nuk ka asnjë aeropor tjetër funksional pas mbylljes së atij të Kukësit, i cili kreu vetëm një numër të papërfillshëm fluturimesh.
Mesa duket, hapja e aeroportit të Kukësit, ishte vetëm pjesë e skemës për t’i shtyrë kontratën koncesionare Kastratit.

Miilionat e koncesionit

Qeveria Rama e zgjati kontratën Koncesionit të Aeroportit të Rinasit n në 20 vjet me justifikimin se shoqëria “Kastrati Group” do të bënte 100 milionë euro investime. 20 vitet, sipas argumentimit të qverisë, do t’i duheshin “Kastratit” për të marrë mbrapsht investimin 100 milionësh dhe një fitimi të këtij investimi.

Ekspertet thonë se investimet e duhura nuk bëjnë me shume se 30 milionë, ndërsa Kastrati 100 mln i ka nxjerre vetëm ne 3 vitet e para te kontratës. Për 17 vitet e tjera paratë do t’i fusë në xhep.

Vetë të dhënat e shoqërisë tregojnë se ajo 100 milionë euro i ka fituar nga Aeroporti vetëm në 3 vitet e para të kontratës. Këto shifra i shtojnë dyshimet se kontrata koncesionare u zgjat vetëm në interes të kompanisë private.

Mbi kontratën ka dyshime edhe përsa i përket investimit. Ekspertë të kontaktuar nga Zoom.al kanë shpjeguar se investimet e përshkruara në kontratë i kanë kostot e fryra. Deri tani, koncesionari ka ndarë terminalin ekzistues të Aeroportit dhe vetëm pas lumit të kritikave në disa media onlinë dhe në rrjetet sociale ka nisur ta zgjerojë atë, siç tregoi ministrja Balluku të shtunën.

Zoom.al i është drejtuar disa herë me kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të drejtuar nga Balluku, si palë në firmosjen e kontratës, për të kuptuar se sa përqind e investimit është kryer apo nëse janë respektuar afatet, por nuk ka marrë përgjigje.

Ekspertët ndërkohë kanë shpjeguar se me 100 milionë euro aeroporti duhet të kishte ndryshuar rrënjësisht. “Me aq para duhet të ishte bërë prej floriri” – thonë ata për Zoom.al.

Deputeti Agron Shehaj është ndër të vetmit ligjvënës në Kuvendin e Shqipërisë që po denoncon monopolin e aeroportit të Rinasit dhe favorizimin që i është bërë kompanisë që ka koncesionin për mënyrën e të bërit biznes. Kastrati ka edhe kontrata të tjera qeveritare, si koncesioni i Rrugës së Kombit, porti MBM i Porto Romanos apo Porti i Limionit.

Aeroporti i Tiranës, si aktivitet monopol, është koncesioni që fut më shumë të ardhura në grupin Kastrati. Në vitin 2021 kompania ka marrë 5.5 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2022 qarkullimi vjetor shkon në 8.3 miliardë.

Koncesioni i Rrugës së Kombit sjell po ashtu miliarda lekë. 2.6 miliardë në vitin 2019, 2.2 miliardë në vitin 2020, 3 miliardë në vitin 2021, 2.2 miliardë në vitin 2022.

Koncesioni i portit të Porto Romanos (MBM) ku Kastrati ka 65 % të aksioneve, ka një qarkullim vjetor prej 750 milionë lekësh në vitin 2021 dhe 1.3 miliardë lekësh në vitin 2022. Ky koncesion, sipas raportimeve të mbërritura në Zoom.al, dyshohet të ketë probleme me dokumentacionin, një çështje kjo për të cilën redaksia jonë ka kërkuar informacion pranë insititucioneve përkatëse. /Zoom.al