zoom

Aktualitet

Rruga e Arbrit, çfarë po fsheh Ministria e Infrastrukturës për këtë projekt

Më 29 Nëntor, ditën e Çlirimit, Ministria e Transporteve do të plotësonte një kaprico të shefit të qeverisë dhe do të bënte hapjen e rrugës së Arbrit, edhe pse ajo nuk kishte përfunduar. 

Dolën atë ditë me qindra banorë të zonës të gëzuar se një ëndërr dhjetëra vjeçare ishte bërë realitet, ndërsa organizatorët e ceremonisë së përurimit nuk kishin haruar ta prisnin kryeministrin me daulle e bori.

 

Foto: Pritja e Ramës ditën e përurimit

Por si për fat të keq, që atë ditë banorët e Dibrës do të zhënjeheshin, pasi përkqesimi i motit bëri që rruga të bllokohej në Qafë Murriz dhe shumë prej tyre iu desh të kalonin orë të tëra në mes të ftohtit. (lexo lajmin KETU)

Investimi i inauguruar me shumë bujë ishte një dështim, pasi rruga, e aq më shumë bypass në Qafën e Murrizit, nuk ofronte asnjë siguri rrugore, pasi punimet ishin të një cilësie shumë të dobët. 

Nuk kaloi shumë kohë dhe asfaltin e hedhur me të shpejtë në shumë pjesë të rrugës do ta merrte shiu, ndërsa në segmente të caktuara u shfaqën gropat. (Lexo lajmin KETU)

Foto: Rruga e Arbrit e prishur

Prej atëhere banorët e Dibrës dhe Matit nuk dinë ç’drejtim të mbajnë: të kalojnë nga rruga e Arbrit apo nga rruga e vjetër, nga Miloti. 

Derisa tuneli i Murrizit të përfundojë, rruga e hapur nga një kapricio politike në ditën e Clirimit, do të hapet e mbyllet sipas kapriciove të motit.

KONTRATA

Sipas kontratës koncesionare, rruga parashikohet të përfundojë në prill të këtij viti. Por parashikimi me gjendjen faktike në terren është shumë larg. Tuneli nuk dihet në ç’fazë është dhe autoritetet nuk japin asnjë të dhënë apo afat se kur mund të përfundojë. 

Segmenti nga Klosi në Bulqizë është gati i paprekur. Një trase e vjetër poshtë Qafës së Buallit ka degraduar prej kohësh. Segmenti nga Shupenza në Maqëllarë ka nevojë për elementë sigurie e sinjalistikë vertikale dhe horizontale. 

KËRKESA

Zoom.al e pyeti Ministrinë e Infrastrukturës mbi projektin. Por një kërkesë për informim, e bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, u la pa përgjigje nga Ministria e drejtuar nga zonja Belinda Balluku, duke shtuar misterin për fondet e harxhuara, por edhe fatin e këtij projekti madhor. 

Foto: Rama dhe Balluku ne diten e përurimit te rrugës

Ministria nuk iu përgjigj pyetjes sonë se sa është vlera e kontratës. Të dhënat e publikuara në media të ndryshme flasin për një kosto prej 253 milionë eurosh, për një rrugë të kategorisë B, me dy kalime, një vlerë kjo që ekspërtë të ndryshëm e kanë quajtur të ekzagjeruar. 

Por sa do të jetë fatura përfundimtare që shqiptarët do të duhet të paguajnë për këtë koncesion, qeveria nuk e thotë.

Sipas parashikimeve në kontratën mes Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kompanisë “Gjoka Konstruksion”, vlera e investimit të rrugës është 33.6 miliardë lekë ose afro 280 milionë euro pa TVSH. Bashkë me TVSH, ajo arrin në afro 336 milionë euro.

Foto: Faksimile e kontratës së lidhur me “Gjoka Konstruksion”

Ndërkohë që nga të dhënat që ofrojnë tabelat që shoqërojnë Buxhetin e Shtetit 2022, thuhet se kontrata e koncesionit “Për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit”, e nisur në vitin 2018, kap një vlerë totale prej 40,320,000 lekë. Në Buxhet nuk saktësohet nëse në këtë vlerë përfshihet edhe TVSH apo është thjesht kosto e investimit që duhet të paguajë shteti ndaj kompanisë kocensionare. 

Foto: Tabela e Buxhetit të Shtetit 2022

Gjithashtu në mungesë të një informacioni zyrtar nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, tabelat e Buxhetit të Shtetit na vijnë në ndihmë për të kuptuar se deri më tani qeveria ka paguar vetëm 7 miliard lekë, ndërsa ka parashikuar që këtë vit të paguajë edhe afro 3 miliard lekë të tjera. 

Ndërsa pjesa tjetër e vlerës, prej 30 miliardë lekësh do të paguhet nga shteti gradualisht për 9 vite të tjera buxhetore, pra deri në vitin 2031. 

MIRËMBAJTJA

Kompania “Gjoka Konstruksion”, që po e ndërton rrugën me koncesion, sipas kontratës do ta mirëmbajë atë për 13 vjet. 

Por sa është vlera e mirëmbajtjes së rrugës? Ministria e Infrastrukturës nuk iu përgjigj as kësaj pyetje, duke i shtuar një tjetër mister këtij projekti. 

Pa përgjigje nga Ministria u la edhe pyetja “a ka vlerë punimesh shtesë në atë segment, përveç tunelit, nga kompania që po kryen punimet”? 

Me afro 70 % të punimeve të realizuara deri tani, mbyllja e tyre në 3 muaj duket thuajse e pamundur. Dhe nëse “është apo jo në kohë kompania me parashikimin për ecurinë e punimeve”, kjo mbetet një tjetër pyetje pa përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës. 

Shumë pikëpyetje mbi një projekt që do i kushtojë shqiptarëve më shumë se 40 miliard lekë të reja.  

  

INTERESAT E KREDISË

Por nëse të dhënat e publikuara në media të ndryshme flasin për një kosto investimi prej 253 milionë eurosh atëherë mbetet e paqartë sesi vlera totale e projektit ka shkuar në mbi 40 miliard lekë, siç edhe konfirmohet në Buxhetin e Shtetit. 

Një nga shpjegimet që kanë dhënë mediat e ndryshme është interesi i lartë i kredisë që ka marrë kompania “Gjoka Konstruksion” në bankat e nivelit të dytë në vendin tonë për kryerjen e punimeve në terren. 

Kështu, mësohet se për të gjithë vlerën e kredisë së marrë për projektin Rruga e Arbrit, kjo kompani i është dashur të paguajë një interes me vlerë afro 40 milionë euro, të cilën në fakt në fund duhet ta paguajë Buxheti i Shtetit nga paratë e taksapaguaesve shqiptarë. Ndoshta kjo është një tjetër arsye sepse Ministria e Transporteve e drejtuar nga Belinda Balluku nuk pranon të jap informacion lidhur me këtë koncension, dritëhijet e të cilit kanë nisur që kur kompania gjigande kineze, “China State Construction” u refuzua edhe pse u ofrua ta ndërtonte rrugën vetëm për 190 milionë euro, gati sa gjysma e kostos që do të paguajnë shqiptarët sot. /Zoom.al