zoom

Lajme

Rama lë debatin me RAI 3 dhe bëhet lider global. Ja çfarë i këshillon kryeministrit spanjoll

Pas dy ditësh gjatë të cilave e vetmja temë për të cilën reagoi dhe komentoi kryeministri ishte ajo e investigimit të “Rai 3”, Edi Rama duket se e ka lënë mënjanë këtë përplasje për të veshur kostumin e liderit global.

Këtë herë, Rama e shfrytëzoi hapësirën e tij në platformën “X” për të përcjellë një mesazh mbështetjeje për kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, pozicioni politik i të cilit është lëkundur.

Sanchez po mendon të japë dorëheqjen për shkak të një hetimi të nisur për mashtrim për bashkëshorten e tij.

Rama heq një paralele mes situatës që ai kaloi me investigimin e “Rai 3”, duke e quajtur gazetarin italian gënjeshtar, dhe shpifësve që, sipas tij, po bëjnë të njëjtën gjë ndaj Sanchez.

“Është privilegj të kem miqësinë tuaj dhe mundësinë për të punuar me ju në këto kohë të trazuara për vlerat dhe parimet në të cilat besojmë dhe luftojmë. Të kesh ty si udhëheqës të lëvizjes sonë socialiste do të thotë të udhëhiqemi në përpjekjet tona nga një njeri me mençuri dhe integritet të pamohueshëm. Ju keni të gjithë mbështetjen tonë në këto kohë ku më shumë se kurrë nevojitet qëndrueshmëri ndaj gënjeshtarëve, shpifësve dhe manipuluesve të fakteve nga skajet e sferës politike. Është nder të qëndroj pranë jush.

Arritja juaj e presidencës së qeverisë përmes zgjedhjeve të ndershme dhe legjitime, dhe falë politikës së ndershmërisë, solidaritetit dhe vullnetit të pamëshirshëm për dialog që keni dhënë për kombin tuaj, është një arsye bindëse për të vazhduar luftën.

Për Spanjën, për Evropën dhe për të gjithë ne. Kurrë mos u dorëzo, kurrë mos u dorëzo, mos dysho kurrë se e vërteta do të mbizotërojë miku im i dashur”, është reagimi i Edi Ramës.

Deklarata e Sanchez për dorëheqje

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se po shqyrton mundësinë e dorëheqjes pasi një gjykatë hapi ndaj gruas së tij një hetim për mashtrim.

“Më duhet të bëj një pushim dhe të mendoj”, shkroi Sanchez në një letër të shpërndarë në platformën e mediave sociale X, ku njoftonte se do të pezullonte ushtrimin e detyrave të tij publike deri të hënën, kohë në të cilën do të ketë marrë një vendim.

“Kam nevojë urgjente për t’i dhënë përgjigje pyetjes nëse… duhet të vazhdoj të drejtoj qeverinë, apo të heq dorë nga ky nder”, shkroi Sanches.