zoom

Aktualitet

U përplas me Ramën – Gazetari italian i shpëtoi jetën shqiptarit që ishte paguar për ta vrarë

Drejtuesi i emisionit “Report” në “Rai 3”, Sigfrido Ranucci, që pak ditë më parë publikoi investigimin për paktin për emigrantët, duke nxitur një përplasje verbale me kryeministrin Edi Rama, ka një histori me shqiptarët.

Historinë e tij e rrëfeu në rrjetet sociale gazetarja Beti Njuma, e cila tregoi se vite më parë Ranucci ka shpëtuar jetën e një shqiptari.

Sipas saj, shqiptari, që ai shpëtoi, ishte paguar nga një bandë kriminale për ta vrarë Ranuccin.

“Në një intervistë dje tek RAIUNO për emisionin “La volta buona” gazetari SIGFRIDO RANUÇI, drejtuesi i të famshmit Report (që i prishi terezinë KM tonë) ndau me shikuesit një ngjarje që e ka rrëfyer edhe tek libri i tij i fundit “La scelta”.

Disa vjet më parë, teksa kthehej nga redaksia, pa e ditur shpëtoi një njeri nga vdekja. Sigfrido kujton se dëgjoi një përplasje të fortë pranë shtëpisë dhe pa një motoçiklist të rrëzuar në një pellg gjaku. I riu kish thyer nofullën si dhe kish prerë arterien femorale e cila mund të shkaktojë vdekjen brenda pak minutave nëse nuk ndërpritet gjakderdhja.

“Kushdo që është motoçiklist, siç ishte babai im, e di që në atë çast ke shumë pak minuta për të ndërhyrë dhe për të ndaluar gjakderdhjen, gjë që u përpoqa ta bëja menjëherë. “

Ajo që gazetari i njohur nuk dinte dhe e mësoi disa vite më vonë është se njeriu të cilit i shpëtoi jetën ishte një nga njerëzit e paguar për ta vrarë nga një grup kriminal. I riu të cilit i shpëtoi jetën quhet Ardian dhe është shqiptar!

Sigfrido Ranuçi që deklaroi se kurrë nuk është penduar se e ka shpëtuar nga vdekja e sigurt, pas kësaj ngjarjeje, jeton me eskortë sigurie që nga viti 2020”, tha Beti Njuma.