zoom

Aktualitet

Mbyllet sërish rruga e Arbrit, policia bllokon hyrrjet në të dyja krahët

Ka përfunduar me një bilanc të rëndë eksperimenti i qeverisë për të hapur pa përfunduar rrugën e Arbrit.

Në pamundësi për të menaxhuar situatën e vështirë të krijuar në Qafë Murriz, ku qindra makina kanë mbetur të bllokuara, policia rrugore është detyruar sot në mbrëmje të bllokojë të dyja hyrrjet e rrugës, si nga ana e Dibrës ashtu edhe nga Tirana.

Rruga e Arbrit u hap paraditen e sotme në një ceremoni ku morri pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ndonëse vet autoritetet bën të ditur se ajo do përfundojë pranverën e ardhshme.

Rruga e papërfunduar në shumë segmente, cilësia e dobët e punimeve dhe mungesa e sinjalistikës, bëri që shumë automjete të mbeten të bllokuara në dëborë.

Më problematike situata u paraqit pikërisht në zonën e Qafë Murrizit, ku autoritetet në pamundësi për të përfunduar tunelin, kanë krijuar një By Pass provizor.

E sikur të mos mjaftonin problematikat me rrugën, situata u bë akoma më kritike edhe për shkak të mungesës së reagimit në kohë të institucioneve shtetërore, për të vendosur në dispozicion borëpastrues dhe forca policie për ti ardhur në ndihmë qytetarëve.