zoom

Aktualitet

“Jam Taulant Balla, më duhen 100 mijë euro/ Kush është “zyrtari” i lartë që mashtron biznesmenët

“Përshëndetje. Si kalove si je? Jam Taulant Balla. Më duhen urgjent 100 mijë euro”, ky është mesazhi që organizatori i një mashtrimi ia ka dërguar një biznesmeni në Përrenjas.

Biznesmeni Flamur Rrushi e mori mesazhin në aplikacionin Viber dhe vendosi t’i dërgojë personit që shtirej si ministri i Brendshëm 100 mijë euro.

Biznesmeni, sipas kërkesës së mashtruesit, ka ardhur në Tiranë me çantën 100 mijë euro dhe ia ka dorëzuar një taksisti.

“Mbajta shënim targat e taksistit”, tha biznesmeni në polici.

Prokuroria e Elbasanit identifikoi taksistin, i cili deklaroi “isha taksist, erdha në Tiranë nga Lezha dhe mora nga Flamur Rrushi çantën. E pyeta fillimisht nëse është gjë e rrezikshme dhe më tha jo. Kur ia dhashë çantën, më dha 100 euro”, tha taksisti, i cili u la i lirë.

Sipas burimeve, u zbulua se posedues i kësaj llogarie është shtetasi Florian Gjergji, i cili aktualisht është nën hetim dhe ndaj tij janë dhënë disa masa arresti për të njëjtën skemë mashtruese.

Por kush është Florian Gjergji?

Florian Gjergji, konsiderohet nga policia e Tiranës si njeriu që ka organizuar në shumë raste skemën e mashtrimit duke u prezantuar përmes emrave të zyrtarëve të lartë, si Edi Rama, Erjon Veliaj dhe jo vetëm.

Gjergji është në kërkim prej 5 muajsh, por vazhdon të jetë i lirë. Shumë prej pjesëtarëve të grupit të tij janë arrestuar, por koka e këtij grupi jo.

Përmes kësaj skeme mashtrimi përmes aplikacioneve telefonike nga Janari 2023 e deri më sot, katër biznesmenë janë tentuar të mashtrohen me shumë të mëdha financiare, duke përdorur emra të zyrtarëve të lartë si Erjon Veliaj dhe kryeministri Edi Rama.

Në 4 operacione të ndryshme të Njësisë “E” në Policinë e Shtetit për këto krime u arrestuan 11 persona, pjesa më e madhe e të cilëve kishin role dytësore në mashtrim.

Në operacionin e parë të koduar me emrin “Signal” ranë në pranga Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç.

Tre të rinjtë shkodranë tentuan që përmes një mesazhi ku prezantoheshin me emrin “Edi” të mashtrojnë biznesmenin e ndërtimit Pëllumb Salillari duke i kërkuar 130 mijë euro.

Si funksionon skema?

Fillimisht 39-vjeçari i dërgon “presë” një mesazh. Tek biznesmenë të ndryshëm ai përdor taktika të ndryshme komunikimi.

Në rastin e tentativës për të mashtruar pronarin e “Everest”, Florian Gjergji, përmes një aplikacioni komunikimi me numër me prefiks të Britanisë së Madhe, u prezantua si zyrtar i tatimeve.

Kur tentoi të mashtronte pronarin e një kazinoje u prezantua në emër të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, ndërsa në rastin e fundit për biznesmenin Ramë Geci u prezantua si kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Siç duket, Florian Gjergji, ka informacione të detajuar të marrëdhënieve të biznesmenëve edhe me politikanë, çfarë shton dyshimet e hetuesve se pjesë e grupit janë edhe disa persona të tjerë informatorë.

Për komunikimin me sipërmarrësit, përdoren aplikacione që aksesohen përmes interntit, si telegram apo signal, ku për hapjen e tyre përdoren platforma VPN që maskojnë vendndodhjen e mashtruesit.

Edhe pse është ai dërguesi i mesazheve dhe ideatori i tyre, për të realizuar misionin Florian Gjergji nuk vepron vetë në terren.

Ai lidhet me persona të tjerë, të cilët i njeh dhe u kërkon të shkojnë për të marrë paratë duke ua paraqitur këtë kërkesë si nder apo veprim miqësor.

Në rastin e fundit ku tentoi të mashtroj Ram Gecin, pasi Florian Gjergji ishte prezantuar si Erion Veliaj dhe se kishte nevojë për 100 mijë euro, kishte pajtuar Bedri e Albert Vodhën, të shkonin të merrnin paratë që t’ia dërgonin në Gjermani.

Sipërmarrësi Geci e kuptoi shpejt skemën e mashtruesve dhe njoftoi policinë.

Geci ia kaloi komunikimin agjentëve të policisë të cilët kërkuan uljen e shumës në 70 mijë euro dhe lanë takim në qendër të Tiranës, aty ku u prangosën babë e bir.

Edhe pse tashmë janë arrestuar në total 8 bashkëpunëtorë të Florian Gjergjit, personi i konsideruar si truri i grupit  ai nuk është kapur.

Këto janë rastet e provuara të mashtrimit të tij, por ai dyshohet se ka bërë edhe tentativa të tjera, duke mashtruar në emër të kryebashkiakut aktual të Laçit, apo ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi.