zoom

Aktualitet

Rritet sërish çmimi i naftës, shkon në nivele rekord afër 200 lekë për litër

Rritet sërish çmimi i naftës, shkon në nivele rekord afër 200 lekë për litër

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për herë të shtatë radhazi në vetëm pak muaj. Aktualisht nafta në vend ka kapur niveleve rekord historike prej 190-200 lekë për litër (në pika të caktuara).

Në pikat e tregtimit të karburanteve me pakicë rezulton se një litër naftë po tregtohet deri në 193 lekë, ose 8 lekë më shumë se më parë. Benzina po ashtu është shtrenjtuar në 194 lekë, po me rritje prej 8 lekësh.

Kujtojmë se gjatë pandemisë nafta ra në 147 lekë për litër ndërsa tashmë është shtrenjtuar me rreth 30%.

Në këtë shtrenjtim të naftës ndikimin kryesor e kanë taksat që aplikohen në një litër naftë në vend por edhe rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Aktualisht taksat mbi naftën arrijnë në 110-120 lekë për litër.

Një tjëtër arsye e rritjes së çmimeve lidhet me shtrenjtimin e karburanteve në bursa, ku nafta tregtohet me 90 dollarë për fuçi, nga rreth 20 dollarë që zbriti në mars 2020, kur bota filloi të vuante pasojat e pandemisë.

Rritja e çmimeve ka shkuar afër niveleve më të larta që nga nëntori i vitit 2014.

E teksa karburantet janë shtrenjtuar, ministrja Delina Ibrahimaj është pyetur nëse ka një strategji që kjo rritje çmimi të mos ketë efekt zinxhir në rritjen e çmimeve të tjera të tregut në vendin tonë.

Ibrahimaj tha se priten që çmimet të reduktohen pas 6 muajve të parë të këtij viti ndërsa përcaktimi i çmimit të naftës bazohet tek bursa, ndaj vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të luhatjes së çmimeve.

Ibrahimaj: Rritja e çmimit të naftës kanë qenë subjekt i rritjeve prej muajsh, jo vetëm në Shqipëri, rajon dhe Europë. Jemi në monitorim të çmimeve të bursave që të parashikojmë të gjithë ndërhyrjet që mund të bëhem, megjithatë dua të them që ne nuk operojmë në ekonomi tregu të lirë. Sipas të gjithë parashikimeve të ekspertëve ndërkombëtarë, priten që këto çmime të reduktohen pas 6 mujorit të parë të këtij viti, por jemi të kujdesshëm dhe në monitorim të vazhdueshëm.

Pyetje: A keni menduar që të hiqni taksat e naftës të paktën?

Ibrahimaj: Politika e taksave nuk mund të ndikohen nga luhatjet momentale të rritjes së çmimeve. Për momentin nuk ka asnjë iniciativë të rishikimit të politikës së taksave.
/Zoom.al

Postime të lidhura