Aplikacion
Forcat amerikane dhe ato iraniane janë përfshirë në një operacion intensiv kërkimi për një anëtar të ekuipazhit amerikan, pasi një avion luftarak amerikan u rrëzya ditën e djeshme në jug të Iranit.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, bëhet fjalë për një avion luftarak tip F-15, në bordin e të cilit ndodheshin dy persona. Piloti ka arritur të shpëtohet, ndërsa një oficer i sistemeve të armëve rezulton ende i zhdukur dhe fati i tij mbetet i paqartë.
Autoritetet iraniane kanë nisur një operacion kërkimi në zonën ku dyshohet se është rrëzuar avioni. Mediat shtetërore raportojnë se qytetarëve u është bërë thirrje të ndihmojnë në gjetjen e ushtarakut amerikan “të gjallë”, ndërsa për këtë janë ofruar edhe shpërblime që arrijnë deri në rreth 66 mijë dollarë. Në rrjetet sociale kanë qarkulluar edhe video të paverifikuara që tregojnë civilë të armatosur duke kërkuar në rajonet jugore.
Ndërkohë, tensionet janë rritur më tej pasi Irani pretendon se ka rrëzuar edhe një avion të dytë amerikan mbi Gjirin Persik. Sipas raportimeve, një avion A-10 Warthog është qëlluar gjatë një misioni kërkim-shpëtimi për avionin e parë. Piloti i këtij avioni raportohet se është katapultuar dhe është shpëtuar më pas.
Deri tani, autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar zyrtarisht rrëzimin e avionëve. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar vetëm se presidenti është informuar mbi zhvillimet, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Situata në rajon vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa operacionet e kërkimit për ushtarakun e zhdukur vazhdojnë.
