zoom

Aktualitet

Skandaloze/ Policia reagon për rrahjen në Komisariatin e Rrëshenit: Qytetari goditi murin me kokë

Skandaloze/ Policia reagon për rrahjen në Komisariatin e Rrëshenit: Qytetari goditi murin me kokë

Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen e Rrëshenit, ku u dhunua një i ri brenda ambienteve të komisariatit një vit më parë.

Autoritetet policore pranojnë prezencën e ish-shefit të komisariatit të Mirditës Klodian Kondi, por pretendojnë se Emirion Mandreja, pasi është ndaluar nga efektivët, ka refuzuar t’u japë atyre mjetin e identifikimit, duke u përgjigjur me sjellje verbale agresive.

Sipas Policisë, ky ka qenë dhe shkaku pse ai është shoqëruar për në komisariat, ku sërish ka reaguar me dhunë, duke kërcënuar dhe ofenduar efektivët. Ndërkohë, Policia pretendon se Mandreja e ka goditur vetë me kokë murin, teksa ka goditur edhe tavolinën.

Në njoftim thuhet gjithashtu se të gjitha veprimet janë dokumentuar dhe përfshirë në dosjen hetimore.

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Në lidhje me deklarimet publike të shtetasit A. (E.) M., të bëra në një intervistë mediatike, Policia e Shtetit ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik mbi rrethanat konkrete të ngjarjes së përmendur prej tij, duke u mbështetur vetëm në dokumentimin ligjor dhe provat e administruara nga organet kompetente.

Më datë 17.01.2024, rreth orës 14:45, gjatë një kontrolli në terren në qytetin e Rrëshenit, Shefi i Komisariatit të Policisë Mirditë në atë kohë, Kryekomisar Klodian Kondi, në bashkëpunim me Shefin e Rendit dhe Specialistin për Krimet, ndaluan për verifikim një automjet që drejtohej nga shtetasi A.(E) M. Punonjësit e Policisë u prezantuan dhe i kërkuan drejtuesit të mjetit të paraqiste dokumentin e identifikimit.

Shtetasi në fjalë refuzoi kategorikisht të zbatonte kërkesën ligjore, duke mbajtur një qëndrim sfidues dhe provokues, të shoqëruar me sjellje verbale agresive. Për shkak të kësaj sjelljeje, u mor masa e shoqërimit të tij në ambientet e Komisariatit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat standarde.

Në ambientet e brendshme të Komisariatit, shtetasi A. (E) M. reagoi me dhunë fizike, fillimisht duke ofenduar dhe kërcënuar punonjësit e Policisë, e më pas duke tentuar të godasë me grusht Shefin e Komisariatit, Kryekomisar Klodian Kondi, si dhe duke e goditur atë me shkelm në pjesën e gjymtyrëve, në prani të disa punonjësve të tjerë.

Gjatë përpjekjeve për ta neutralizuar, shtetasi A.(E) M. kreu edhe veprime të dhunshme ndaj vetes, duke goditur me kokë murin dhe tavolinën në zyrën e Oficerit të Rojës, në prani të punonjësve të tjerë të Policisë. Këto veprime janë dokumentuar dhe përfshirë në dosjen hetimore.

Menjëherë pas ngjarjes, Kryekomisar Klodian Kondi depozitoi kallëzim penal për goditjen për shkak të detyrës dhe kanosjen ndaj tij. Deklarime të njëjta janë dhënë edhe nga punonjësit e tjerë të pranishëm, ndaj të cilëve shtetasi A. (E) M. ka ushtruar dhunë fizike dhe verbale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi A. (E) M. u arrestua nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Lezhës, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Pamjet filmike të momentit të shoqërimit dhe qëndrimit në ambientet e Komisariatit janë vënë në dispozicion edhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka marrë në shqyrtim edhe kallëzimin e mëvonshëm të bërë nga vetë shtetasi A.(E) M.

Aktualisht, çështja ndaj shtetasit A.(E) M. është në proces gjykimi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Kryekomisar Klodian Kondi është thirrur për të dëshmuar në cilësinë e të dëmtuarit, së bashku me punonjësit e tjerë të Policisë që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes.

Policia e Shtetit është e vendosur të zbatojë ligjin me profesionalizëm dhe paanshmëri, duke mbrojtur të drejtat e çdo qytetari, por njëkohësisht edhe dinjitetin, sigurinë dhe integritetin e punonjësve të saj, të cilët ushtrojnë detyrën në situata shpesh të vështira dhe përballë reagimeve të dhunshme.

Për çfarë bëhet fjalë saktësisht?

Emirion Mandreja, një i ri nga Rrësheni që prej vitesh jeton në Itali, ka denoncuar publikisht një ngjarje të rëndë dhune që i ka ndodhur në këtë komisariat. Ai thotë se është rrahur barbarisht brenda ambienteve të policisë së shtetit nga shefi i komisariatit, Klodian Kondi dhe policët që ai ka në vartësi.

Shkaku, sqaron ai, është se nuk pranoi t’u thoshte policëve se çfarë pune bënte në Itali.

Ai ishte duke pirë kafe në Rrëshen dhe sapo ishte larguar për te makina që e kishte parkuar 100 metër në distancë nga komisariati, tre efektivë policie civile i janë afruar te makina dhe i kanë kërkuar dokumentat. Sipas Emirionit mes policëve ka qenë dhe Klodian Kondi, i cili mbante postin e Shefit të Komisariatit.

Ai tregon se situata u agravua kur Klodian Kondi e pyeti: “A jeton në Shqipëri?” dhe Emironi i tha: “Jo, jetoj në Itali”, por refuzoi t’i tregonte punën që bënte. Në këtë moment, sipas tij Klodiani e ka zbritur nga makina dhe e ka shoqëruar në komisariat, ku më pas efektivët e kanë dhunuar fizikisht.

“Më tha, m’u përgjigju mirë mua. Zotëri nuk jam i detyruar të të përgjigjem, i thashë. Më tha: ja se të detyroj unë dhe më zbriti nga makina. Më bëri një kontroll dhe më tha hajde në komisariat se atje të detyroj unë të tregosh”- tregon Emirioni.

Ai thotë se është shoqëruar me forcë në komisariat, është fyer, është qëlluar me grushte dhe shkelma, dhe i janë shkaktuar fraktura në fytyrë dhe gjymtyrë. Madje, një nga policët, Vladimir Lasku, e ka mbajtur nga krahët dhe e godiste në gjoks dhe bark. Një akt shtazarak që nuk ka asnjë justifikim në një shtet normal.

Pas kësaj Emirioni ka shpërthyer.

“I shava të gjithë! Atje më rrahën me grushte e shpulla. Vladimir Lasku më mbajti nga krahët dhe më çellonte me gju në gjoks dhe në bark. U thashë: Më mirë më vritni këtu se këtë unë do ta çoj deri në fund dhe ju do ta paguani, vetëm në vdeksha.”

“I thashë jam njeri i Lindita Nikollës dhe me tha s’më … as për ty as për Lindita Nikollën”, -vijon më tej ai.

Tronditëse është edhe tentativa për të fshehur dhunën. Sipas Emrionit, shefi i krimeve i ka kërkuar ta mbyllin me aq, por ai nuk ka pranuar dhe ka vendosur ta denoncojë publikisht.

Policia e Shtetit nuk ka reaguar ende për këtë rast të rëndë, që fatkeqësisht nuk është i izoluar. Pak ditë më parë një kamarier 18-vjeçar u rrah në sy të një polici nga miku i tij. Dhe policia bëri një reagim skandaloz dhe nuk arrestoi askënd.

Në vend që ta “shkrijë” komisariatin e Rrëshenit, drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda hesht. Ai ka zgjedhur të mbyllet në zyrën e tij e të mos komunikojë me publikun sa herë policët e tij sillen si horra dhe banditë. Dhe këtë mënyrë duket se do të ndjekë deri kur të zbresë nga karrigia ku është ulur./ Zoom.al

Postime të lidhura