Aplikacion
Reshjet e dendura të dëborës që kanë përfshirë gjatë natës qarkun e Elbasanit kanë krijuar vështirësi kryesisht në zonat malore.
Në Stëblevë, në territorin e bashkisë Librazhd, dëbora ka arritur trashësinë deri në 50 centimetra, ndërsa nivele të larta janë shënuar edhe në zonën e Labinot Malit në Elbasan.
Qarkullimi në aksin kombëtar Prrenjas–Qafë Thanë vijon normalisht, por rruga Librazhd–Peshkopi është bllokuar dhe nuk lejon kalimin e automjeteve.
Në disa zona rurale të Librazhdit, përfshirë Qarrishtë dhe Librazhd Katund, lëvizja kryhet vetëm me automjete të pajisura me zinxhirë. Ndërkohë, rruga drejt Gjinarit në Elbasan paraqitet e hapur, ndërsa në Labinot Mal, Zavalinë, Qerret dhe Funar zinxhirët janë të domosdoshëm.
Situata është më e vështirë në bashkinë e Gramshit, ku në fshatrat Kukur, Lenie dhe Skënderbegas qarkullimi lejohet vetëm për mjete të larta me zinxhirë. Edhe në bashkinë e Prrenjasit, zona si Rrajcë Skënderbe dhe Stravaj përballen me të njëjtat kushte.
Si pasojë e motit të keq, ndërprerje të energjisë elektrike janë raportuar në Zavalinë, Mollagjesh, Qarrishtë dhe Bardhaj, ndërsa ekipet po punojnë për riparimin e defekteve.