zoom

Aktualitet

Reagojnë fëmijët e Nikoll Radaçit: Kërkojmë falje nga zemra, mos na fajësoni neve

Reagojnë fëmijët e Nikoll Radaçit: Kërkojmë falje nga zemra, mos na fajësoni neve

Fëmijët e Nikoll Radaçit kanë reaguar publikisht pas ngjarjes tragjike në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur, duke kërkuar falje dhe njëkohësisht mirëkuptim nga opinioni publik për situatën që po kalojnë.

Në një prononcim për emisionin Shqipëria Live në Top Channel, ata shprehën ngushëllimet për familjet e viktimave dhe theksuan se dhimbja është e madhe edhe për ta. Sipas tyre, ngjarjen e kanë mësuar përmes mediave dhe janë tronditur thellë, sidomos për faktin që viktimat ishin fëmijë.

Ata nënvizuan se nuk kanë pasur asnjë kontakt me babain e tyre që pas arrestimit dhe se nuk po përpiqen të justifikojnë veprimin e tij. Përkundrazi, shprehën se ai duhet të përballet me drejtësinë dhe të marrë dënimin që i takon.

Në reagimin e tyre, fëmijët kërkojnë që të mos mbajnë përgjegjësi për atë që e cilësojnë si një veprim individual. Ata treguan se në disa raste i kishin kërkuar të atit të kishte kujdes, sidomos në lidhje me drejtimin e automjetit dhe konsumimin e alkoolit, por shtuan se nuk kanë pasur mundësi ta kontrollonin vazhdimisht.

Për arsye sigurie, ata thanë se janë detyruar të largohen nga banesa, duke qenë se ndihen të rrezikuar pas ngjarjes dhe afërsisë me familjarët e viktimave.

“Në radhë të parë, duam t’u japim ngushëllime familjeve të viktimave. Në emrin tim dhe të familjes sime, dua të kërkoj falje publike për tragjedinë e rëndë që ka ndodhur. Aksidenti i shkaktuar nga babai ynë ka marrë jetën e dy fëmijëve të pafajshëm dhe nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë dhimbjen që kjo ngjarje ka shkaktuar te familjet e tyre dhe te të gjithë ne si shoqëri.

Ngjarjen e morëm vesh nga media. U shokuam, sepse bëhej fjalë për jetë njerëzish dhe, mbi të gjitha, për fëmijë të mitur.

I kemi ndjekur detajet dhe prononcimet në media. Ato janë diçka për të cilat çdo njeri ka mendim të ndryshëm. I kuptojmë njerëzit që janë kaq të irrituar, por kjo po ndikon shumë keq edhe te ne si fëmijë, sepse ishte një gabim individual dhe mediat, duke folur më shumë, po na godasin edhe ne si fëmijë.

Ne nuk po mbrojmë aktin, babai ynë do të marrë dënimin e merituar për këtë gabim që ka bërë. Ju lutem na kuptoni, jemi të shkatërruar.

Me babin nuk kemi pasur kontakt tani që është arrestuar.

Po, është e vërtetë që jemi larguar nga shtëpia për arsye sigurie, sepse është një rast i rëndë dhe nuk ishte e sigurt jeta jonë që pas asaj tragjedie që ndodhi, ne të rrinim aty, pasi i kemi shumë afër njerëzit e viktimave.

Mesazhi ynë për ta është: Nga zemra kërkojmë falje. E dimë që asnjë fjalë nuk mund ta zbusë dhimbjen që po kalojnë, por ne ndajmë me ta këtë dhimbje. Jemi njerëz dhe, mbi të gjitha, jemi fëmijë… dhe e kuptojmë sa e rëndë është kjo humbje.

Po, ka pasur raste që ai konsumonte alkool.

Për sa i përket pjesës së shpejtësisë, e kemi marrë si informacion nga policia që i është hequr patenta, por dua të shtoj edhe diçka që është folur shumë: pse ne nuk e kemi ndaluar. Ne i kemi thënë që të ketë kujdes kur të jetë me makinë. Nuk mund të na fajësoni ne si fëmijë, pasi edhe ne punojmë dhe nuk mund të jemi gjatë gjithë kohës në prani të babit për të parë nëse është i alkoolizuar. Në shumë raste jemi munduar t’ia shpjegojmë dhe ta ndalojmë, por nuk mund të ndalojmë dot veprimet e tij, pasi nuk jemi gjithmonë të pranishëm”, shprehen ata./ Zoom.al

Postime të lidhura