zoom

Lajme

“Përndjekje për ta rrëzuar nga detyra”/ Raporti i Avokatëve të Huaj: Burgosja e Veliajt, me motive politike. Persekutim!

“Përndjekje për ta rrëzuar nga detyra”/ Raporti i Avokatëve të Huaj: Burgosja e Veliajt, me motive politike. Persekutim!

Dy nga firmat ligjore më të njohura ndërkombëtare, Kasowitz LLP (New York) dhe Mishcon de Reya LLP (Londër) kanë publikuar një Raport të Përditësuar mbi rastin e Erion Veliajt, me titullin: “Raport lidhur me përndjekjen politike të Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës.”

Raporti, i cili pason një version të parë të publikuar më 24 qershor 2025, trajton me detaje motivet politike që, sipas studiove ndërkombëtare fshihen pas hetimit të SPAK-ut ndaj Veliajt. Në dokument theksohet se çështja e Veliajt nuk është një hetim i zakonshëm, por një ndjekje penale me karakter politik, e ndërtuar për ta larguar nga posti i fituar në mënyrë demokratike.

Sipas raportit, kryebashkiaku i Tiranës mbahet në paraburgim prej muajit shkurt, pavarësisht se nuk paraqet rrezik arratisjeje apo pengese për hetimin. Ndërkohë që 17 të pandehur të tjerë në të njëjtën çështje janë lënë të lirë, refuzimi i lirimit me kusht për Veliajn ilustron, sipas avokatëve, një pabarazi flagrante në trajtimin nga autoritetet shqiptare.

Raporti e cilëson këtë si një rast të pastër përndjekjeje politike, që shkel parimin e prezumimit të pafajësisë dhe procesin e rregullt ligjor. Për studiuesit e Kasowitz dhe Mishcon, qëllimi është i qartë: të përdoret paraburgimi si instrument për ta larguar Veliajn nga detyra, duke i mohuar qytetarëve të Tiranës të drejtën për vetëqeverisje.

Në dokument vihet në dukje se vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës për ta shkarkuar Veliajn dhe njoftimi pasues i Presidentit të Republikës për zgjedhje të reja, janë pasojë direkte e një paraburgimi të pajustifikuar, që sipas raportit, “është kthyer në mjet presioni politik”.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese ka pezulluar procesin e zëvendësimit deri në shqyrtimin e ankesës, raporti paralajmëron se rasti Veliaj ka krijuar një krizë kushtetuese që sfidon angazhimin e Shqipërisë ndaj standardeve të sundimit të ligjit dhe drejtësisë së pavarur.

Raporti mbyllet me konstatimin se “rasti i Erion Veliajt përfaqëson një shembull të qartë të përdorimit të drejtësisë për qëllime politike”, një përndjekje që, sipas studiove ndërkombëtare, ka për qëllim eliminimin e një kundërshtari të brendshëm dhe komprometimin e procesit demokratik në kryeqytetin e Shqipërisë.

Në përbërje të ekipit që ka hartuar raportin janë juristë me reputacion ndërkombëtar si Daniel J. Fetterman dhe Brian S. Choi nga Kasowitz LLP, si dhe James Libson e Ben Brandon nga Mishcon de Reya LLP.

Zoom.al sjell në vëmendje faktin se ky është rasti i parë kur dy firma të mëdha ligjore amerikane dhe britanike denoncojnë publikisht një rast “arresti politik” në Shqipëri, duke ngritur pyetje të forta mbi pavarësinë reale të drejtësisë shqiptare dhe ndikimin e pushtetit politik në hetimet e SPAK./ Zoom.al

Postime të lidhura