Aplikacion
Për mbi 95% të shërbimeve publike të ofruara nga shteti, shqiptarët nuk do të kenë më nevojë të dalin nga shtëpia. Nga 1 maji, këto shërbime do të ofrohen online, ndërsa do të marrë fund ‘epoka’ e sporteleve. Në këtë mënyrë qytetarët do të kursejnë kohë, do të shmangin radhën, e po ashtu i jep fund edhe korrupsionit në këmbim të një shërbimi të caktuar.
Kryeministri Edi Rama e konsideroi kalimin online të shërbimeve publike një stacion historik të Revolucionit Digjital, teksa shtoi se do të përmirësohet shërbimi i administratës publike ndaj qytetarëve dhe biznesit.
“Në 1 maj nis epoka e re e shërbimeve pa sportele. Shqipëria ka hyrë në elitën e vendeve më të zhvilluara për qeverisjen digjitale, dhe është ndër të parat që i ofron shërbimet me dokumente përmes platformës kombëtare digjitale. Ky është një stacion historik i Revolucionit Digjital ku mbarojnë radhët, zvarritjet dhe bakshishet e një epoke që ka mbërritur në hapat e saj të fundit”, tha Rama.
Ndonëse pranoi se në ditët e para të marrjes online të këtyre shërbimeve mund të ketë ngërçe apo problematika, Rama theksoi se kurrsesi sportelet nuk do të hapen më.
“Drejtorët e Përgjithshme ta dinë se nuk do të ketë asnjë derë hapur. Derën hapur e kanë online. Janë të gjitha në xhep. Kemi realizuar atë që për të cilën jemi zotuar prej vitesh, që shtetin do ta fusim në xhep. Ndaj edhe qytetari të vetmen gjë që duhet të bëjë është të shkojë në e-Albania”, tha ai.
Kryeministri i dha përgjigje edhe pikëpyetjeve mbi fatin e punonjësve në sportele, ku tha se asnjëri prej tyre nuk do të hiqet nga puna, por do të bëjnë një tjetër lloje pune tashmë. Nga 1 maji, ata nuk do të kenë më përballë qytetarët, por vetëm aplikimet e tyre. /Zoom.al/