zoom

Lajme

Rama paralajmëron ndërhyrje në legjislacion pas vendimit të Kushtetueses për Ballukun

Rama paralajmëron ndërhyrje në legjislacion pas vendimit të Kushtetueses për Ballukun

Këtë të hënë, 9 shkurt, u mblodh në Kryesinë e Kuvendit grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

I pranishëm ishte kreu i qeverisë, Edi Rama, dhe Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra si ministre dhe zv.kryeministre, me vendim të GJKKO-së.

Pikërisht sa i takon çështjes “Balluku”, kryeministri ka ndarë 3 konkluzione nga gjithçka është diskutuar në mbledhjen me dyer të mbyllura. Fillimisht, ndalet te pezullimi nga detyra, që ai e thekson “paralizon jo vetëm funksionin, por edhe institucionin”.

Së dyti, bën me dije se grupi i PS-së do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion, referuar këtu faktit që nuk u plotësua kuorumi i nevojshëm për marrjen e një vendimi nga gjyqtarët e Kushtetueses.

“Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion“, thotë Rama.

“E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.

Një shtesë nga ana ime:

SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen”, nënvizohet më tej në postimin e tij fill pas mbledhjes. Kjo e fundit, nisi në orën 10:00.

3 ditë më parë, Gjykata Kushtetuese nuk arriti dot të merrte një vendim lidhur me padinë e qeverisë për çështjen e Ballukut.

Ndarja 4 me 4 e gjyqtarëve, bëri që ankimimi të rrëzohej dhe të rikthehej në fuqi masa e “pezullimit nga detyra” për ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Postime të lidhura