Aplikacion
Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin në lidhje me kërkesën e kryeministrit Edi Rama për masën e sigurisë të vendosur ndaj zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku.
Duke votuar 4 me 4 Kushtetuesja ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO për pezullimin nga funksionet publike të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese u mblodhën këtë të premte për më shumë se dhjetë orë.
Kjo është mbledhja e tretë e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, pasi dy seancat e mëparshme janë shtyrë për shkak të kërkesës së disa anëtarëve për më shumë kohë shqyrtimi.
Rama dorëzoi ankimin në Kushtetuese në nëntor të vitit të kaluar, ku kërkonte nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë nëse, masa e pezullimit të vendosur nga GJKKO për Ballukun, përbën cenim të kompetencave kushtetuese dhe balancës së pushteteve, duke justifikuar se një gjykatë speciale nuk ka juridiksion për të pezulluar një anëtar të Këshillit të Ministrave.
Gjykata e Posaçme vendosi më 20 nëntor të vitit të kaluar, që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Balluku akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese, ndërsa akuzave u është shtuar edhe shkelje e barazisë me tendera në Unazën e Madhe./ Zoom.al