Aplikacion
Komisioni Evropian i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të shqyrtojë pa vonesë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në një përgjigje për Report TV, Brukseli thekson rëndësinë e luftës efektive kundër korrupsionit për rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.
Zëdhënësi i KE u shpreh se është përgjegjësi e parlamentit të trajtojë menjëherë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij.
“Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj. Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet i rëndësishëm për përparimin e Shqipërisë dhe pritshmërinë e qytetarëve të saj”, tha ai.
Raporti i KE për Shqipërinë për vitin 2025 thekson se, edhe pse qëndrueshmëria e gjyqësorit ka përmirësime, ndërhyrjet politike dhe presionet e padrejta ndaj sistemit gjyqësor vazhdojnë të jenë problem shqetësues. Për këtë arsye, Brukseli rekomandon rritjen e llogaridhënies dhe ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe prokurorisë.
Komisioni Evropian gjithashtu kujton se dialogu me autoritetet shqiptare vazhdon rregullisht dhe në fillim të marsit do të mbahet Komiteti BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, ku do të diskutohen shqetësimet mbi reformën në drejtësi.
Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndërhyrje në legjislacion, duke e cilësuar pezullimin e Ballukut si një çështje që nuk kërkon urgjencë për arrestimin e saj, ndërsa opozita kërkon që imuniteti të hiqet menjëherë dhe drejtësia të mos pengohet nga manovrat politike./ Zoom.al