zoom

Ide & Blog

Rama me shpenzimet e avionit charter, si Veliaj me lekët e dasmës

Edi Rama duket se e thelloi sot skandalin e shpenzimeve me avionin charter “Ismail”. Në siklet jo pak nga publikimet e 134 fluturimeve nga hakerat iranianë, ai tha se “udhëtimet private i bën me shpenzimet e mia”.

Natyrisht, nëse e ka fjalën për 8 udhëtimet në 3 vjet, përkundrejt 134 me charter, deklarata e tij është e besueshme.

Por nëse charterin “Ismail” e ka përdorur për punë private dhe ka marrë në të edhe personazhe që s’kanë lidhje me punët e qeverisë, pyetja është se ku i gjeti ai paratë për të paguar charterin.

Në pamje të parë sikleti i Ramës duket i ngjashëm me atë të Erion Veliajt kur u pyet se ku i kishte gjetur lekët për të bërë dasmën në Kalanë e Gjirokastrës. “E bëra me kursimet e mamit”, tha Veliaj në atë kohë.

Tani Ramës i mbetet të tregojë faturat, si ato privatet ashtu edhe ato të kompanisë Air Albania, që ai thotë se ka bërë marrëveshje.

“Kthehemi te taksia ime është e vërtetë që prej 2020 kemi bërë marrëveshje me Air Albania për edhe intereson e Albanias për të pasur avion për udhëtimet e punës”, tha ai.

Por Air Albania nuk ka dorëzuar as bilancet në QKB. Imagjinoni pak se sa thellë mund të jetë afera.

Nëse opozita e ka seriozisht betejën për charterin, ka shumë gjasë që faturat dhe shpenzimet do t’i shohim në Komisionin Hetimor Parlamentar që ajo thotë se do të ngrejë për të hedhur dritë mbi avionin. /Zoom.al