Aplikacion
Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një mbledhje të përbashkët me grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar këtë të shtunë. Takimi do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, duke nisur nga ora 11:00.
Sipas agjendës së zbardhur, mbledhja do të hapet nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ndërsa më pas fjalën do ta marrë vetë kryeministri Rama.
Në fokus të takimit do të jenë disa raportime nga drejtues institucionesh dhe figura kyçe të qeverisë. Ndër të ftuarit është edhe drejtuesja e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, e cila do të paraqesë një pasqyrë mbi punën e institucionit që drejton. Deputetët do të kenë mundësinë të adresojnë pyetje dhe shqetësime të ardhura nga qytetarët.
Po ashtu, një raportim do të mbajë edhe bashkëkryetari i PS për reformën administrativo-territoriale, Arbjan Mazniku, i cili pritet të japë detaje mbi ecurinë e kësaj reforme.
Në kuadër të mbledhjes do të prezantohet edhe strategjia e komunikimit, nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.
Takimi do të mbyllet me fjalën përfundimtare të kryeministrit Rama dhe të Taulant Ballës./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit