Aplikacion
Edi Rama ka zgjedhur që sërish të fyejë dhe të sulmojë verbalisht protestuesit, që prej dy javësh dalin çdo ditë në shesh për të kërkuar largimin e tij nga qeveria.
Në rubrikën ‘shënimet e javës’ në potkastin e tij “Flasim”, Rama i konsideroi protestuesit si ‘hajvanë’ me mendësi fashiste, që siç thotë ai, nuk duhet të lejohet.
Sipas Ramës këto protesta po dëmtojnë turizmin në Shqipëri, pasi janë anuluar shumë rezervime nga turistët e huaj.
“Është e patolerueshme që një grup njerëzish, që një forcë njerëzish, që një parti apo një konglomeratë partish, apo që nuk e di, quani si të doni, t’i imponohet pjesës tjetër, duke i thënë që: “O do mendosh kështu si unë, o unë do të sakatoj, do të të bullizoj, do të të kërcënoj”. Kjo është fashiste, është skandaloze dhe kjo duhet ndalur. Dhe kjo ndalet duke mos u tërhequr përpara këtyre lloj presioneve dhe përpara këtyre lloji hajvanëve. Kjo duhet ndalur.
Në Vlorë kanë qenë rreth 95% e atyre që zotërojnë hotele, restorante, bare që i janë bashkuar protestës sensibilizuese, duke kërkuar mirëkuptim që sezoni të mos dëmtohet, sepse është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë familjare të shumë njerëzve të lidhur me turizmin dhe është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë lokale dhe për ekonominë kombëtare në tërësi. Domethënë, nëse ne do të ndalojmë që në Shqipëri të hyjnë, ato para që do të hyjnë normalisht me një sezon turistik të qetë, atëherë unë nuk e di se në favor të kujt shkon kjo”,- tha Rama.