Aplikacion
Në një reportazh dedikuar kryeqytetit të Shqipërisë, media italiane RAI 3 tregon se si në Tiranë, me flluskën e ndërtimeve, çmimet po arrijnë shifrën prej 5.500 euro për metër katror, njëjtë si në Milano.
“Në investigimin tonë “La campagna d’Albania”, ne mblodhëm dëshmi rreth shpërthimit urban në kryeqytetin e Shqipërisë,”- shkruan media italiane.
“Me shfaqjen e rrokaqiejve dhe kullave, fytyra e kryeqytetit shqiptar është riformësuar plotësisht gjatë 24 viteve të fundit nga Edi Rama, i cili shërbeu si kryetar bashkie i Tiranës për dy dekada përpara se të bëhej kryeministër.”
Në hetimin e RAI 3, përfshihet edhe një intervistë me gazetarin Fatos Lubonja, i cili u drejtohet gazetarëve: “Nëse doni të hetoni, ju jeni gazetarë investigativë, shkoni në Tiranë dhe shikoni të gjitha këto kulla dhe bëni disa kërkime se kush i ndërtoi ato, me sa para u ndërtuan.”
Sipas medias italiane ka pak qytete në botë që arrijnë të pasqyrojnë me besnikëri idetë e politikanëve që qeverisin në planifikimin e tyre urban, duke shtuar se kjo ndodh në vende si Dubai, Doha dhe në zemër të Ballkanit, në Tiranë.
“Po rindërtojmë, por është vetëm fillimi. Brenda pesë vitesh, do të kemi shumë më tepër. Kemi përfshirë arkitektët më të mëdhenj në botë,”- shfaqet ndër të tjera duke u shprehur Rama.
“Po bëhet pastrim parash, janë para të pista në këto kulla që shihni. Duhet të dini pak për këtë, sepse janë shumë të përfshirë në Itali. Janë dy emra të famshëm në Itali. Njëri quhet Stefano Boeri. Në Itali, nuk mund të ndërtosh në qendrën historike dhe ai po ndërton kulla këtu. Tjetri është Casamonti. Ai e shkatërroi stadiumin, ishte historik,”- shton Lubonja.
RAI 3 shkruan se një pjesë e konsiderueshme e Tiranës së re u projektua nga dy arkitektë italianë, Marco Casamonti, i cili, përveç stadiumit, projektoi edhe Kullën Alban dhe Stefano Boeri, krijuesi i Bloc Ucube dhe ndërtesave të tjera që janë aktualisht në ndërtim e sipër.
Por, ndërsa kontributi artistik i Italisë në bumin e ndërtimit në Shqipëri është i dukshëm për të gjithë, burimi i parave që po ndërtojnë të gjithë këta rrokaqiej në Tiranë s’është më pak i qartë.
“Vitin e kaluar, 3.7 miliardë euro u investuan në sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Por vetëm 20% e këtyre parave erdhën nga sistemi bankar. Pra, pyetja është: nga vjen 80% e mbetur?”- deklaron gazetarja Ola Xama.
RAI 3 raporton se në Itali dhe pjesën tjetër të Evropës, sektori i pasurive të paluajtshme mbështetet kryesisht në kreditë bankare. Megjithatë, në Shqipëri dhe në Tiranë ka ndodhur diçka e tjetër. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Shqipërisë, nga 3.7 miliardë euro të investuara në ndërtim, vetëm 846 milionë euro, ose rreth 20%, vijnë nga sistemi zyrtar bankar.
“Unë mendoj se problemi i vërtetë janë paratë e pista, të cilat vijnë gjithashtu nga krimi i organizuar “-shprehet Xama.
Ndërkohë media italiane ngre pyetjen “A ka kompani të lidhura me mafian shqiptare që i ndërtuan drejtpërdrejt këto kulla?”
“Po, kemi hetime gjyqësore për shumë nga këto kompani ndërtimi. Disa dyshohen zyrtarisht se janë mjete pastrimi parash për mafian shqiptare,”-thekson gazetarja.
Rasti më i habitshëm është ai i rrokaqiellit, simbolit të Tiranës, më i larti në Shqipëri, Downtown One Tirana, i ndërtuar nga familja Kastrati, e cila menaxhon autostradat dhe aeroportet dhe fiton vazhdimisht kontrata publike, shkruan media italiane.
Ndërtimi i tij iu nënkontraktua Alesio 2014, një kompani e sekuestruar nga gjyqësori për përfshirjen e pronarit të saj në operacionet e trafikimit të drogës me Spanjën. Hija e mafies shqiptare ka rënë edhe mbi kullën në ndërtim e sipër, Ekspozita Building, në pronësi të familjes së fuqishme Mata, ku Ervin Mata iku në Amerikën e Jugut pasi u hap një hetim për trafikimin e drogës. “Si u financuan këto rrokaqiej?” ngre pikëpyetje RAI3.
Rama: “Shqiptarët që janë jashtë nuk janë më ata që pastronin shtëpi ose mblidhnin fruta. Shqiptarët janë si italianët, sepse ju jeni shqiptarë të veshur me Versace, pikë. Lërini Raffaele-n, Leonardon dhe të tjerët rehat sepse nuk keni të bëni fare me ta, por ashtu si ju, edhe ne jemi thellësisht të lidhur me tokën, dhe shqiptarët që janë jashtë investojnë në blerjen e shtëpive.”
Gazetari i RAI 3: “Pra, Kastrati po ndërton edhe rrokaqiellin me paratë e emigrantëve që kursejnë në Itali dhe në pjesën tjetër të Evropës?”
Rama: “Nuk e di saktësisht, por duhet ta kuptosh që për çdo shtëpi në Shqipëri faza kalabreze ka mbaruar, kur blinin shtëpi në Tiranë me para në dorë”.