Aplikacion
“Si mund të zhduken 600 milionë dollarë detyrime ndaj shtetit dhe naftëtarëve, ndërkohë që asetet e të njëjtës kompani prodhojnë dhjetëra miliona euro fitim të menjëhershëm nga skrapi dhe panelet diellore? Rasti i ARMO-s është manuali perfekt i korrupsionit post-komunist me pronat shtetërore, një cikël pronarësh fantazmë, kontrata qiraje që tentojnë të fshijnë gjurmët e aferave dhe një pastrim final përmes alkimisë së shndërrimit të hekurit të ndryshkur në ar për xhepat e një grushti njerëzish. Nga epoka e Rezart Taçit te parqet e sotme fotovoltaike të “Shijaku sh.p.k”, “Gjonaj” e “Alberg”, ky investigim sjell një radiografi të plotë të skemës se si kjo pasuri kombëtare u copëtua, u shit për skrap dhe u riciklua duke prodhuar miliona për një grup të vogël njerëzish dhe duke lënë borxhe kolosale për shtetin dhe naftëtarët.”
Nga Zoom.al
Pas më shumë se 20 ditësh në grevë urie, me lëkurën e zverdhur, kockat e fytyrës që i ishin mprehur nga uria e sforcuar, me trupin që po e tradhëtonte, Manihat Hoxha shqiptoi këto fjalë:
“Ne nuk kemi ardhur këtu për lëmoshë. Kemi 40 vite që derdhim djersën në këto tuba. Po shohim se si po e çmontojnë uzinën pjesë-pjesë. Po na e shesin bukën për skrap para syve tanë. Ata marrin miliona nga hekuri, ndërsa fëmijët tanë s’kanë me se të blejnë as librat e shkollës.”
Intervista rrëqethëse e dhënë më 17 tetor të vitit 2020, gjatë ditëve të vështira të grevës së urisë që naftëtarët e Ballshit zhvilluan në mjediset e rafinerisë së ARMO-s, është rrëfimi me plotë i asaj që po ndodhte me këtë pasuri kombëtare, në të cilën ai kishte punuar plot 40 vjet.
Në një moment kur shëndeti i tij dhe i kolegëve të tij ishte rënduar ndjeshëm pas më shumë se 20 ditëve pa ngrënë, ai nxorri letrat e gjyqit për të kërkuar drejtësi, por në fakt duke dëshmuar pa e ditur, se shteti kishte rënë përballë milionave në lojë dhe se u kishte kthyer shpinën për llogari të disa privatëve.
“Kemi fituar gjyqet, kemi letrat në xhep, por asnjë përmbarues nuk guxon të prekë pronën. Pse? Sepse shteti dhe pronarët janë bërë një!”
Manihati vdiq në vitin 2021, me një vendim gjykate në xhep që i njihte 1.8 milionë lekë paga të prapambetura, para që nuk i pa kurrë. Ai iku nga kjo botë duke parë nga dritarja e shtëpisë se si kamionët e kompanisë “Shijaku Sh.p.k” ngarkoheshin me hekurin e uzinës ku ai la rininë, për ta shitur atë si skrap, hekurin që alkimia e pazareve e shndërroi në flori për një dorë të vogël biznesmenësh.
Alkimia e skrapit, 9 milionë euro për një “minierë ari” prej 1 milionë metrash katrorë
Në vitin 2021, ndërsa naftëtarët si Manihati ishin në grevë urie, një bankë e nivelit të dytë, si kreditor i siguruar, ia shiti të gjithë asetet e ARMO-s kompanisë “Shijaku Sh.p.k”, me pronar Shpëtim Shijakun.
Çmimi i blerjes, 9.2 milionë euro. Ajo përfshinte dhjetëra mijëra tonelata hekur dhe 104 hektarë tokë mbi të cilën ngrihej kompania, ose mbi 1 milionë metër katrorë. Ky çmim u konsiderua shumë i ulët për një gjigant industrial, por argumenti ishte se uzina ishte e teknologjisë së vjetër dhe e pashfrytëzueshme.
Por cila ishte vlera e vërtetë e këtij aseti?
FITIMET NGA SKRAPI: Vetëm brenda vitit të parë, Shpëtim Shijaku çmontoi rreth 60,000 tonë metal. Me çmimin e skrapit që atëherë luhatej mes 350-400 euro/ton, fitimi i tij, duke llogaritur mijëra tonë hekur, çelik dhe metale të tjera, përfshirë bakrin, ishte mbi 22 milionë euro.
Është paradoksale të shohësh se si Shijaku fitoi dyfishin e investimit brenda muajsh vetëm nga skrapi, ndërsa Manihati dhe 1 200 kolegë të tij nuk morën asnjë qindarkë, sepse ligji nuk i jepte përparësi bukës së punëtorëve.
“Kemi shitur gjithçka që kishim në shtëpi. Kemi marrë bukë me listë te dyqani i lagjes për dy vite. Kur shohim që uzina po pritet për skrap dhe kamionët ikin të ngarkuar me hekur, na vjen të vdesim. Ata po shesin bukën tonë”. Ky rrëfim rrënqethës është i naftëtares Mimoza Shkurti në ditët e grevës së urisë.
Mbi djersën dhe jetën e saj dhe të minatorëve të tjerë po ndërtohej një prej parqeve më të mëdha fotovoltaike me fitime marramendëse. Do të mjaftonin vetëm disa muaj punë e këtij impianti për të shlyer çdo qindarkë të çdo minatori.

FITIMI NGA TRUALLI DHE PARKU FOTOVOLTAIK: Përfitimi më i madh afatgjatë lidhet me truallin. Shpëtim Shijaku arriti të marrë në zotërim sipërfaqen prej rreth 104 hektarësh ku shtrihej rafineria dhe ta japë atë për shfrytëzim për 25 vjet për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Çmimi i tokës përllogaritet nga 15 në 40 milionë euro, si tokë truall në zonë industriale.
Pasi trualli 104-hektarësh ku shtrihej ARMO u pastrua nga hekuri, nisi faza e dytë e planit për t’i shumëfishuar fitimet nga kjo pasuri. Shpëtim Shijaku nuk e mbajti tokën, por e ktheu në një platformë për energjinë diellore. Transaksioni ndodhi në në nëntor të vitit 2023. Shijaku ia shet truallin, bashkë me projektin e energjinë diellore, kompanisë “Infotelecom – Albsolar 3” për 1.95 milionë euro. Shitja u bë përmes shitjes së kompanisë “Greennat Solar Park Ballsh”, e cila zotëronte projektin e fotovoltaikëve dhe truallin. Megjithatë, vlera reale e projektit dhe e drejta e shfrytëzimit të asaj toke për dekadat e ardhshme vlerësohet shumë më tepër në tregun e energjisë. Në krye të këtij biznesit të fotovoltaikëve tani qëndrojnë Marin Gjonaj me 51% të aksioneve përmes “Gjonaj Group” Holdings dhe Agron Haxhiymeri me 49% të aksioneve përmes “Alberg”. Parku fotovoltaik me kapacitet 100 MË energji, një investim prej 75 milionë eurosh, do të gjenerojë të paktën 14 milionë euro fitim vjetor.

Kronika e një mashtrimi shtetëror 2008–2026
Në vitin 2008, qeveria shqiptare ia shiti 85% të aksioneve të ARMO-s konsorciumit “AMBO”, i cili përfaqësohej nga biznesmeni Rezart Taçi përmes kompanisë “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”.
Vlera ishte rreth 128.7 milionë euro. Premtimi ishte modernizimi i rafinerive të Ballshit dhe Fierit dhe rritja e kapaciteteve përpunuese. Por pas kësaj blerje, nisi një spirale rënëse që përfundoi në kolaps financiar.
Gjatë periudhës 2008–2013, ARMO u përball me probleme të rënda operacionale dhe financiare. Megjithëse kontrata e privatizimit parashikonte investime masive për modernizimin e teknologjisë në rafineritë e Ballshit dhe Fierit, këto investime nuk u realizuan në masën e duhur.
ARMO filloi të grumbullonte borxhe të papaguara ndaj shtetit, kryesisht TVSH, akcizë dhe taksa të cilat, në ditën kur Taçi e shiti atë tek azerët, borxhi përllogaritej në mbi 300 milionë dollar.
150 milionë dollarë ishin detyrime tatimore të prapambetura ndaj shtetit. Por pjesën më të madhe e kishin boxhet ndaj dy bankave të nivelit të dytë. Pjesa tjetër ishin miliona ndaj Bankers Petroleum dhe disa kompanive të tjera shërbimesh.
Kalimi te Grupi Azer (2013)
Për shkak të borxheve të akumuluara dhe vështirësive financiare, në vitin 2013, në kohën e ndërrimit të pushtetit, aksionet kaluan te grupi azer “Hebron Resources”. Megjithatë, situata nuk u përmirësua. Borxhet ndaj shtetit OSHEE-së dhe bankave private arritën shifra alarmante, në afro 300 milionë dollarë.
Banka shtetërore azere (IBA) ishte financuesi kryesor i Rezart Taçit në vitin 2008, duke i dhënë rreth 75 milionë euro kredi për të blerë rafinerinë. Taçi nuk e shlyeu kurrë kredinë dhe banka nuk fitoi asgjë, përkundrazi, mbeti me një borxh të pashlyer. Ky dështim ishte një nga arsyet pse drejtori i bankës, Jahangir Hajiyev, u dënua më vonë në Azerbajxhan me 15 vite burg për përvetësim fondesh dhe skema mashtruese, përfshirë ato në Shqipëri.
Kur Taçi u largua në gusht 2013, 80% e aksioneve kaluan te Heaney Assets Corporation, e lidhur me të njëjtët njerëz të bankës azere. Ata nuk e operuan vetë rafinerinë, por ia dhanë me qira kompanive të tjera, si Deveron Oil.
Gjatë dy viteve të administrimit azer, ARMO nuk gjeneroi fitim për pronarët, por grumbulloi edhe më shumë borxhe. Kur azerët e morën kompaninë, borxhi ishte rreth 300 milionë dollarë, por kur u larguan, borxhi kishte arritur shifrën rekord prej rreth 595 milionë dollarësh.
Marrja nga IRTC e Besnik Sulajt (2016)
Në vitin 2016, përfaqësuesit azerë u zhdukën nga skena, duke mos iu përgjigjur as thirrjeve të qeverisë shqiptare për bisedime.
Në lojë hyn IRTC (Ionian Refining and Trading Co.), një kompani offshore e Besnik Sulajt. Rezultati që prodhoi menaxhimi i IRTC ishte 64 milionë dollarë të tjera borxhe në taksa brenda 18 muajve. Manihat Hoxha dhe shokët e tij thanë se kompania kishte vjedhur edhe minatorët.
“Na kanë vjedhur edhe sigurimet, na i kanë mbajtur nga rroga por s’i kanë derdhur në shtet,” denonconte ai.
Për periudhën prej rreth 18 muajsh, nga shtatori 2016 deri në fillim të vitit 2018 kur kompania IRTC mori në shfrytëzim rafinerinë e ARMO, shifrat tregojnë një kontrast të madh mes xhiros së arkëtuar dhe borxheve të lëna pas.
Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet tatimore dhe doganore, IRTC raportohet se për vitin 2017 ka prodhuar dhe shitur në tregun vendas rreth 156 mijë tonë karburant. Vlera e arkëtuar nga ky aktivitet përllogaritet në mbi 220 milionë euro.
Milionat e çuditshme të Tosk Energji
Në maj të vitit 2018, menjëherë pas largimit të IRTC-së së Besnik Sulajt, operimin e ARMO e mori kompania “Tosk Energji”, e cila e shfytëzoi atë deri në fund të vitit 2019, për afro 20 muaj.
Sipas bilanceve të dorëzuara në QKB dhe investigimeve të kohës, Tosk Energji arriti të qarkullonte shuma marramendëse, pavarësisht se rafineria ishte në gjendje të rëndë.
Viti 2018 raportoi të ardhura prej rreth 100 milionë euro ose 12 miliardë lekë. Një shifër e madhe kjo kur një vit më parë, në 2017, ishin raportuar rreth 40 milionë euro.
Por edhe pse xhiroja ishte e lartë, kompania deklaroi humbje në bilanc. 8 milionë ishte humbja e deklaruar vetëm për vitin 2018. Por ky është një fenomen i përsëritur në historikun e ARMO-s, ku kompanitë qarkullojnë qindra miliona euro, por në letër dalin me humbje për të shmangur tatim-fitimin.
Ashtu si paraardhësit, edhe Tosk Energji, bashkë me kompaninë simotër “Byllis Energji”, u largua duke lënë pas detyrime të mëdha. Detyrimet ndaj shtetit dhe të tretëve, në fund të operimit, përllogariteshin rreth 10-15 milionë euro.
Edhe Tosk Energjy la pas një sërë pagash të pashlyera, që çuan në protestat masive dhe grevat e urisë të naftëtarëve në vitin 2020.
Investigimet mediatike zbuluan se Tosk Energji mbështetej nga gjiganti zviceran i naftës Gunvor, i lidhur me interesa ruse. Gunvor i dha Tosk-ut një kredi prej rreth 15.5 milionë eurosh. Ekspertët dyshojnë se fitimi real u nxorr përmes tregtimit të karburantit në tregun e pakicës dhe skemave të shitjes nën kosto mes kompanive të lidhura, ndërsa borxhet i mbetën “guackës” shqiptare.
Tosk Energji operoi me një kapital modest prej vetëm 3.5 milionë lekësh, por arriti të menaxhonte asete që gjeneruan mbi 100 milionë euro brenda një viti, duke u larguar sapo laku i borxheve ndaj shtetit dhe furnitorëve u shtrëngua.

Borxhet për të tjerët, vezët e arta për Shijakun & Co
Sot, mbi truallin që duhej të sekuestrohej për 600 milionë dollarë borxhe ndaj shtetit dhe punëtorëve, Shijaku, Marin Gjonaj dhe Agron Haxhiymeri shesin energji diellore.
Duket sikur drejtësia ka vdekur bashkë me Manihat Hoxhën.
Borxhet prej mbi 600 milionë dollarësh vijojnë të jenë të shtetit dhe të punëtorëve, ndërsa fitimet të privatit. Manihat Hoxha vdiq duke pritur drejtësinë. Trashëgimtarët e tij shohin sot se si dielli i Ballshit po pasuron ata që blenë skrapin e djersës së tij. Shteti shqiptar, i cili lejoi kompani Taçi, azerët, IRTC, Tosk Energji e Shijaku, Gjonajt apo Haxhiymerit të operonin si në mall pa zot, sot hesht përpara pronarëve të rinj të paneleve diellore.
Sot, aty ku ku dikur gjëmonin turbinat e Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës, gjëmojnë këmbanat e alarmit të korrupsionit dhe të fitimeve marramendëse, zhurma e të cilave ka kaluar kufijtë e Shqipërisë disa herë, por mesa duket nuk ka mbërritur ende në veshin e SPAK, aty ku ka mbetur shpresa e vetme për të kuptuar se përse nuk u vendos kurrë sekuestro mbi asetet sa herë borxhet kalonin limitet e arsyeshme dhe përse nuk u mbrojtën pagat e punëtorëve si “kredi prioritare” pëpara interesave të biznesve që e shfrytëzuan këtë gjigant të industrisë derisa e rrëzuan në tokë pa frymë. © Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës