zoom

Aktualitet

Qytetarët evitojnë kalimin nga Tuneli i Llogarasë pas alarmit të supervizorit grek, se nuk ka çelik të përforcuar. SPAK nuk heton ndërtuesin

Qytetarët evitojnë kalimin nga Tuneli i Llogarasë pas alarmit të supervizorit grek, se nuk ka çelik të përforcuar. SPAK nuk heton ndërtuesin

Qytetarët po e evitojnë kalimin nga Tuneli i Llogarasë që nga dalja e mesazheve të supervizorit grek Yannis Kirkinezis. Alarmi i tij, si përfaqësues i kompanisë “Hill International”, është sinjali më serioz për një rrezik të mundshëm të kësaj vepre. 

Hetimet e SPAK treguan se në nëntor të vitit 2022 supervizori grek i shkruante drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberit, i alarmuar për cilësinë e dobët të punimeve në Tunelin e Llogarasë. 

“Evis…kontraktori duhet të kuptojë se projekti nuk është thjesht një “vrimë”, por është një tunel i cili duhet të ndërtohet sipas specifikimeve dhe praktikave ndërkombëtare në respekt ABSOLUT për çështjet e SIGURISË” -i shkruante ai kreut të ARRSH. 

Ai e paralajmëronte Ervis Berberin gjithashtu se dizajni i ri i ventilimit nuk kishte “asnjë dispozitë për rastet e zjarrit”, duke shtuar se kjo do të rrezikonte jetën e udhëtarëve.

LEXO EDHE: https://zoom.al/inxhinieri-jep-alarmin-nese-nuk-ka-hekur-tuneli-i-llogarase-do-te-bjere/

Por pavarësisht këtij alarmi, kompania “Gjoka” i vijoi punimet normalisht. Ajo ishte nënkontraktuar nga turqit e “Intercar” që fituan tenderin prej 170 milionë eurosh pa TVSH. “Gjoka” e kishte fituar atë për 130 milionë Eurosh, por ARRSH ia hoqi dhe ua dha turqve për 40 milionë euro më shumë. 

Por përveç parave, që SPAK po i heton, problemi kryesor mbetet te siguria e tunelit. Janë të shumtë qytetarët që po i evitojnë kalimet në tunel, derisa hetimet të hedhin dritë mbi standardet. Megjithatë, edhe pse SPAK thotë se hetimet po vijojnë, kompania që ka kryer punimet, “Gjoka”, nuk është përfshirë në hetime. 

Në çdo vend normal, një mesazh i vetëm i tillë do të mjaftonte që prokurori të thërriste menjëherë kompaninë ndërtuese, të sekuestronte objektin dhe të kërkonte të bëhej ekspertiza. 

Deri sot SPAK ka goditur vetëm njërën anë të skemës, atë të  mbikëqyrjes fiktive nga kompania e Kirkinezis dhe “Net Grup” të Valter Begajt, ku sipas SPAK, pronar “de facto” ishte vetë Ervis Berberi i ARRSH. /Zoom.al

Postime të lidhura