Aplikacion
Paris St-Germain është urdhëruar nga një gjykatë franceze t’i paguajë ish-sulmuesit Kylian Mbappe 60 milionë euro në pagë dhe bonuse të papaguara.
Mbappe kishte kërkuar 263 milionë euro nga ish-klubi i tij. Kampionët evropianë po kundër-padisnin kapitenin e Francës për 240 milionë euro.
Sulmuesi 26-vjeçar i Real Madrid kërkoi shumën si dëmshpërblim në përgjigje të një mosmarrëveshjeje kontrate dhe akuzash për keqtrajtim nga klubi.
Megjithatë, atij iu dha pak më shumë se një e pesta e asaj shume. Gjykata pranoi se PSG nuk i kishte paguar atij tre muaj të pagës midis prillit dhe qershorit 2024, si dhe një bonus etik dhe një bonus nënshkrimi sipas kontratës së tij.
Besohet se shumica e parave që iu dhanë Mbappes ishin bonuse, në vend të pagës së tij.
Në maj, një shumë prej 55 milionë eurosh në llogaritë e klubit u ngri pas një kërkese nga ekipi ligjor i Mbappe.
“Jemi të kënaqur me këtë vendim. Kjo është ajo që mund të pritet kur pagat nuk paguhen”, tha avokati i Mbappe-s, Frederique Cassereau.
Në një deklaratë, ekipi ligjor i Mbappe shtoi: “Ky vendim konfirmon se angazhimet e marra duhet të respektohen. Ai rikthen një të vërtetë të thjeshtë: edhe në industrinë profesionale të futbollit, ligji i punës zbatohet për të gjithë. Mbappe, nga ana e tij, i respektoi me përpikëri detyrimet e tij sportive dhe kontraktuale për shtatë vjet, deri në ditën e fundit.”
Ndërsa pranoi vendimin e gjykatës, PSG nuk e ka përjashtuar mundësinë e apelimit kundër vendimit.