zoom

In Zoom

Pse e shkarkoi Edi Rama zëvendëskryeministrin Arben Ahmetajn?

Kreu i qeverisë, Edi Rama lajmëroi sot në mënyrë të beftë, disa ndryshime në kabinetin e tij qeveritar, ku më i rëndësishmi është ai i largimit të zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj.

Largimi i Ahmetajt ishte përfolur disa muaj më parë nga mediat, ndonëse në atë kohë qeveria e mohoi këtë gjë.

Në një fjali e gjysmë kryeministri falenderon Ahmetajn për kontributin e dhënë në qeveri, ndërsa njofton edhe zëvendësminin e tij me Belinda Ballukun.

Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre. Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin”, shkroi Rama, duke justifkuar këtë lëvizje shumë të rëndësishme në qeveri me nevojën për t’i dhënë energjisë një rëndësi më të madhe në prioritetet e qeverisë.

Në fakt, argumenti që jep Rama, në mesazhin e tij për shkarkimin e Ahmetajt, më shumë i ngjan një justifikimi sesa një argumenti të besueshëm.

Kjo pasi Ahmetaj nuk emërohet më në asnjë detyrë tjetër në ekzekutiv dhe tashmë do jetë vetëm një deputet i thjeshtë.

Burime nga Partia Socialiste kanë konfirmuar se krahas argumentit të dhënë nga Rama në mesazhin e tij, ka edhe disa arsye të tjera që e kanë çuar kryeministrin drejt këtij vendimi të rëndësishëm.

Kështu, mësohet se marrëdhëniet mes Ramës dhe Ahemtajt kishin disa muaj që ishin ftohur.

Madje të njëjtat burime bëjnë të ditur se për rreth dy muaj mes Ramës dhe Ahmetajt nuk ka patur asnjë lloj komunikimi.

Shkak mësohet se është bërë refuzimi i Ahmetajt për të firmosur disa vendime të rëndësishme në qeveri.

Marrëdhëniet u dukën se u përmirësuan disa javë më parë, gjatë kohës së inugurimeve të shtëpive të rindërtuara, teksa të dy krerët e qeverisë u shfaqën disa herë sëbashku në ceremonitë e përurimit.

Por kjo duket se ishte një zgjidhje vetëm për të hedhur poshtë aludimet mediatike.

Të tjera burime e lidhin shkarkimin e Ahmetajt edhe me çështjen e inceneratorëve.

Kështu, Zoom.al mëson se emri i tij mund të jetë shumë shpejt objekt i përballjes me drejtësinë për këtë çështje.

Ndaj dhe kreu i qeverisë ka marrë vendimin që ta largojë Ahmetajn sa më parë nga qeveria, në mënyrë që ballafaqimi i tij më drejtësinë të mos bëhet duke qenë anëtar i qeverisë.

Arben Ahmetaj ka qenë ministër i Finacave gjatë kohës së dhënies së koncensioneve për tre inceneratorët, atë të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.

Madje emri i tij është përmendur disa herë në media për miqësinë që ai kishte me pronarët e kompanive që kanë fituar koncensionet në fjalë.

Në 2017 Ahmetaj dhe Mirel Mërtiri i kompanisë koncensionare të inceneratorëve udhëtonin sëbashku, kur makina e tyre u aksidentua në Maqedoni./ Zoom.al