Aplikacion
Pas incidentit të ndodhur mesditën e sotme në zonën e “Ali Demit”, Partia Socialdemokrate e Shqipërisë (PSD) ka reaguar zyrtarisht duke mohuar përfshirjen në konfliktin e raportuar pranë zyrës së saj elektorale.
Në një deklaratë për mediat, PSD thekson se ngjarja ka ndodhur pranë, por nuk ka lidhje me ambientet apo veprimtarinë e tyre politike.
“Ngjarja e ndodhur këtë mesditë në rrugën ‘Ali Demi’ nuk ka asnjë lidhje me zyrën tonë elektorale apo me aktivitetin e Partisë Socialdemokrate. Asnjë nga anëtarët apo simpatizantët tanë nuk ka qenë i përfshirë në konfliktin në fjalë,” thuhet në reagimin zyrtar.
Policia ka shpallur në kërkim Arjan Telhallarin, i cili dyshohet se ka hyrë në zyrën elektorale të Partisë Socialdemokrate (PSD) në rrugën “Ali Demi” dhe është përfshirë në një konflikt me disa persona që ndodheshin aty.
Burime nga policia bëjnë me dije se konflikti ka nisur më herët mes dy të rinjve në zonën e Ali Demit. Njëri prej tyre është larguar në banesë dhe më pas është kthyer së bashku me të atin, Arjan Telhallarin, për të kërkuar tjetrin. Fillimisht janë drejtuar tek një lokal, por pasi nuk e gjetën aty, kanë shkuar në zyrën elektorale të PSD-së, ku kanë parë të riun dhe kanë hyrë brenda, duke nisur konfliktin./ Zoom.al