zoom

Lajme

PS propozon riorganizimin e Kuvendit/ Opozita kundër: E papranueshme, cenohet roli ynë

PS propozon riorganizimin e Kuvendit/ Opozita kundër: E papranueshme, cenohet roli ynë

Socialistët kanë dorëzuar në Kuvend projektvendimin për ndryshimin e rregullores parlamentare, që parashikon riorganizimin e komisioneve të përhershme nga 8 në 11 komisione.

Dokumenti mban firmën e Taulant Ballës, Olta Xhaçkës, Eduard Shalsit, Ulsi Manjës dhe Evis Kushit, dhe pritet të votohet në seancën e nesërme plenare.

Sipas propozimit, Kuvendi do të ketë komisione të reja si Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, apo Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Ndryshimi më i diskutuar është shkrirja e Komisionit të Integrimit Europian, i cili bashkohet me Komisionin për Punët e Jashtme, duke krijuar një strukturë të vetme për procesin e integrimit dhe politikat e jashtme.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi pas mbledhjes me kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi dhe kreun e grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, se ndryshimi është i domosdoshëm për fazën ku ndodhet vendi.

“Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë organizim të ri me 11 komisione. Kemi ngritur në nivelin më të lartë Komisionin për Çështjet Europiane. Në këtë fazë të integrimit, ai duhet të drejtohet nga mazhoranca, për të garantuar procesin e Shqipërisë drejt BE-së”, tha Balla.

Ndryshe mendon opozita. Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, e quajti vendimin “të papranueshëm” dhe shenjë të autoritarizmit të kryeministrit Rama.

“Është e papranueshme që në Asamblenë e PS të njoftohet organizimi i Kuvendit. Komisioni i Integrimit ishte mekanizmi i vetëm i opozitës për të monitoruar procesin. Shkrirja e tij tregon vullnetin e mazhorancës për të përjashtuar opozitën nga integrimi. Shqipëria bëhet i pari vend që nuk ka një komision të dedikuar për këtë çështje”, u shpreh Bardhi.

Debati pritet të kulmojë në seancën e nesërme plenare, ku do të shqyrtohet ndryshimi i rregullores, si dhe do të zyrtarizohen drejtuesit e komisioneve të rinj./ Zoom.al

Postime të lidhura