Aplikacion
Me 113 vota pro, mazhoranca dhe opozita bashkuan votat për miratimin e projektvendimit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Po ashtu, me 115 vota pro, u miratua edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.
Kundër ngritjes së dy komisioneve votuan tre deputetë, ndërsa miratimi erdhi pas një marrëveshjeje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Sipas projektvendimit, vendimet e Komisionit për Reformën Zgjedhore do të miratohen me shumicën e votave të anëtarëve dhe me konsensusin e bashkëkryetarëve. Ky komision do të përbëhet nga 16 anëtarë: 7 nga Partia Socialiste, 7 nga Partia Demokratike dhe 2 nga partitë që siguruan të paktën dy mandate në zgjedhjet e 11 majit — Partia Socialdemokrate dhe Partia Mundësia.
Ndryshe do të jetë përbërja e Komisionit për Reformën Territoriale, i cili do të ketë po ashtu 16 anëtarë, por me ndarje të ndryshme: 8 nga Partia Socialiste, 6 nga Partia Demokratike, 1 nga Grupi Parlamentar “Aleanca për Ndryshim” dhe 1 nga Partia e Lirisë.
Kryetari i Komisionit do të jetë përfaqësues i shumicës parlamentare, ndërsa zëvendëskryetari do të vijë nga radhët e pakicës.
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar kundër vendimit, duke akuzuar Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike se kanë bërë “pazare politike”, duke përjashtuar partitë e vogla nga përfaqësimi në këto komisione.