Aplikacion
Një argument që po dëgjohet shpesh ditët e fundit, që pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, është se gjuha që përdoret ndaj sistemit të drejtësisë nxit dhunë dhe akte të tilla si ajo e të hënës.
Opozita akuzon mazhorancën për përdorim të gjuhës së urrejtjes ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mazhoranca nga ana tjetër akuzon opozitën se ka përhapur mosbesim ndaj organeve të drejtësisë.
Por, një vështrim i thelluar mbi marrëdhëniet midis mazhorancës aktuale dhe sistemit të drejtësisë në Shqipëri tregon një trend shqetësues: një presion politik i vazhdueshëm ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, shpesh i shoqëruar me akuza publike dhe retorikë sulmuese, që ka minuar besimin në sundimin e ligjit dhe ka kontribuar në një klimë pasigurie dhe dhune.
Në vetëm dy muajt e fundit, sulmet e kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarëve e prokurorëve kanë qenë të njëpasnjëshme.
Prokurorja Elsa Gjeli, gjyqtarët Hazbi Balliu e Klarent Demiri janë vetëm disa nga emrat e vënë nën shënjestër publikisht nga Rama.
Edhe gjyqtari Ligoraq Toshi po ashtu. Atë Rama e akuzoi se nuk ka lejuar prishjen e një ndërtese pa leje me kupolë xhami, që ka bllokuar hapësirën mes dy pallateve në Tiranë.
“Gjykatësi Ligoraq vendosi në pak minuta pa praninë e palëve, që të mos hapet kalimi i mbyllur mes dy pallateve nga kjo ngrehinë pa leje me kupolë xhami, nën të cilën shtrihet një dyqan. Gjykatësi Ligoraq me siguri nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe as nuk e ka menduar që mos o Zot, në rast zjarri ky dyqan kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit,”- shprehej Rama pak javë më parë.
Më tej, Rama shtoi se ky gjykatës i bashkohet emrave të tjerë që ai ka kritikuar më herët, për të cilët i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që t’i referojë në organet drejtuese të gjyqësorit. Sipas kryeministrit, me vendimet absurde që kanë dhënë, ata kanë vendosur në dëm të komunitetit, mjedisit dhe rendit ligjor.
Rama denoncoi publikisht edhe gjyqtarin Marko Boshku për kthimin në detyrë të një zyrtari të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili ishte shkarkuar për ndërtim pa leje dhe mashtrim me dokumentacionet e legalizimit. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve reagoi e shqetësuar duke e cilësuar këtë denoncim si tentativë për uzurpimin e pushtetit gjyqësor dhe kërkoi reagimin e KLGJ-së dhe partnerëve ndërkombëtarë për një pozicionim të qartë në mbrojtje të sistemit gjyqësor.
Akuzat që nga koha e Saimir Tahirit
Fakt është që akuzat e mazhorancës për anëtarët e drejtësisë nuk janë vetëm të ditëve të sotme.
Arjan Aliaj është gjyqtari më i akuzuar në kohën kur Saimir Tahiri ishte ministër i Brendshëm.
Ministri i Brendshëm Tahiri e akuzoi atë publikisht se vendimi i tij për pezullimin e Drejtorit të Policisë Haki Çako dhe masa e sigurisë ndaj oficerëve policë ishte “qokë politike”, “argumente skandaloze”, jo ligjore, jashtë shortit, me pretendime për shpërdorim detyre.
Tahiri akuzoi Arjan Aliaj se nuk ishte gjykatësi “i gatshëm” për rastin (për shkak të një procedure me short), dhe se gjyqtari u përzgjodh në mënyrë të paligjshme jashtë procedurave.
KLD e akuzoi Tahirin asakohe për sulm ndaj gjyqtarit Aliaj dhe gjyqtarëve në përgjithësi — deklarata fyese, kërcënuese, presion ndaj gjyqtarëve
Edhe gjyqtari Laurent Fuçia u denigrua publikisht për detyrën e tij nga Tahiri.
Ai i dërgoi një letër kreut të shtetit të asaj kohe, Bujar Nishani, ku shprehte shqetësimin e tij për proceset gjyqësore dhe më konkretisht një vendim të gjyqtarit Laurent Fuçia në Vlorë.
Në letrën e tij, Tahiri deklaronte se gjyqtari ka dhënë një vendim shqetësues për shoqërinë duke favorizuar 3 persona që shkelën ligjin. Kjo sipas tij dekurajon edhe policinë.
Të njëjtën gjuhë Tahiri ka përdorur edhe për gjyqtarin e Gjykatës së rrethit gjyqësor Kavajë, Osman Aliu.
” të këtij gjyqtari, përbëjnë shqetësim serioz për Policinë e Shtetit, e cila gjendet e detyruar të luftojë kriminalitetin ndaj të njëjtëve njerëz, që riciklohen të lirë në shoqëri nga vendime të tilla, tërësisht skandaloze”, shkruante ministri Tahiri kur ishte në detyrë.
Sulme për prokurorët që arrestojnë socialistët
Pas kërkesës së prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri, shumica parlamentare socialiste nën udhëheqjen e Edi Ramës bllokoi arrestimin duke refuzuar kërkesën e prokurorisë dhe duke i sulmuar prokurorët si të njëanshëm.
“Të arrestojnë një deputet me burg, pa e marrë në pyetje, le pastaj pa prova. Ku u gjet ky zell i panjohur, i një prokurorie që s’ka lëvizur një gisht që kur ka lindur. As për prova e fakte që shihen ashiqare si të dyshimta nuk kanë lëvizur, le më për përgjime. Kurrë. Asnjëherë. Hiç. Asnjë gisht nuk lëvizi kjo prokurori me një bilanc memec. Me 4 fletë bakalli duan të fusnin në burg një deputet”, deklaronte kryeministri.
Herë të tjera i quante anëtarët e drejtësisë si një organizatë “Kap ça të kapësh”.
Ka ardhur koha të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vettingun dhe e dinë që nuk e kalojnë dhe që kanë nxjerrë një togfjalësh ‘KÇK’, ‘kap çfarë të kapësh’, këtë grup ky parlament duhet ta shpallë në kërkim me cdo mënyrë. Shpallja në kërkim e ‘KÇK’-së është objektivi që duhet të kemi ne si parlament një orë e më parë. Ti japim ‘KÇK’ me ligj mesazhin që është në kërkim. Kush na pengon Holanda apo Franca dhe ne do ta bëjmë këtë. Ligj special kundër o sot o kurrë. Shumë shpejt do të sjell ligjet për këtë punë. Po flas për një organizatë kriminale me imunitet kushtetues ligjor, prokurorë dhe gjykatësve të korruptuar që e dinë se nuk kalojnë vettingun”, shprehej Rama.
Në disa dalje, Rama ka sulmuar edhe Prokurorinë e Tiranës duke thënë se ka funksionuar si sportel për të rritur pazarin dhe për të mbyllur kallëzimet që Drejtoria e Tatimeve i ka depozituar.
“Çfarë i keni ju problem këta që janë këtu, por ama këta duhet të mos përdorin biznesin e vogël për të shitur dhe shpërndarë pa fatura dhe të mos bëjnë evazion, sepse aty ku do të kapen, do të goditen, pavarësisht se duhet ta themi dhe këtë. Na ka ngecur sharra në gozhdë në Prokurorinë e famshme të Tiranës, e cila prej shumë vitesh ka funksionuar si sportel për të rritur pazarin, duke mbyllur çështjet që drejtoritë tona të të ardhurave t’i çojnë për ndjekje penale dhe duke marrë para nga ata, të cilët duhet të ndiqen penalisht dhe duke çuar pastaj letrat tek bedelat epër të bërë gjithë ato zullume me letrat të marra nga prokuroria”, shprehej Rama në 2022.
Vetëm gjatë këtij viti, Rama ka atakuar direkt gjyqtarin dhe prokurorin e çështjes ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj si edhe një gjyqtare të Tiranës që rrëzoi padinë e tij për shpifje ndaj Lulzim Bashës.
“Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve të këtij vendi, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, tipa që e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12-vjeçari!!!”, shkroi Rama në postimin e tij në rrjetet sociale për këtë rast.
Analiza e rasteve publike tregon një model të përsëritur: çdo vendim i papëlqyer për qeverinë shoqërohet me sulm publik, shpesh duke nxitur opinionin kundër gjyqtarit. Kjo ka krijuar një efekt frike dhe pasigurie mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët shpesh ndihen të ekspozuar dhe të pambrojtur nga institucionet./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit