zoom

Kosova

Provokim në veri të Kosovës: Postera me flamurin e Serbisë dhe mesazhi “Po vijmë për Krishtlindje”

Në katër komunat e veriut të Kosovës të martën janë shfaqur postera me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mesazhin “Po vijmë për Krishtlindje”.

Krishtlindja ortodokse festohet më 7 janar.

Shfaqja në veri e posterave të tillë apo grafiteve me mesazhe që bëjnë thirrje për kthimin e Ushtrisë Serbe në Kosovë ose thirrje për rezistencë ndaj Qeverisë së Kosovës, nuk është gjë e re.

Policia deri më tani i ka hetuar këto raste, por publiku nuk është njoftuar nëse dihet kush qëndron pas tyre.

Në fillim të qershorit u shfaq një poster me portretin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me mesazhin: “Komandant suprem, po të presim”.

Më herët, në shkurt, persona të panjohur lanë fletëpalosje në ndërtesat e Mitrovicës së Veriut me thirrje për rezistencë, të cilave u paraprinë edhe mbishkrimet grafiti si, “Kur ushtria të kthehet në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.

Qeveria e Kosovës i shpalli “Brigada e Veriut”, dhe “Mbrojtjen Civile”, organizata terroriste në fund të qershorit 2023, për shkak të bindjes se pjesëtarët e saj morën pjesë në sulme të ndryshme ndaj Policisë së Kosovës.

Gjithashtu, dhjetë ditë para sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023, në Mitrovicën e Veriut u shfaq një grafit me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Në atë sulm në veriun e Kosovës mori pjesë një grup i armatosur serbësh, ku u vra një polic kosovar.

Postime të lidhura