zoom

Lajme

Protesta e opozitës para Kryeministrisë, ambasada Amerikane paralajmëron qytetarët

Protesta e opozitës para Kryeministrisë, ambasada Amerikane paralajmëron qytetarët

Ambasada Amerikane në Tiranë ka shpërndarë një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë në lidhje me protestën kombëtare që opozita pritet të zhvillojë sot, në orën 17:00, përpara Kryeministrisë.

Në paralajmërim, ambasada u bën thirrje shtetasve amerikanë të shmangin zonat ku do të zhvillohet protesta dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për sigurinë. Sipas njoftimit, protestuesit pritet të mblidhen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, mes Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej.

Ambasada thekson se pritet prani e shtuar e forcave të policisë, si dhe mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit në disa kryqëzime të qendrës së Tiranës. Policia e Shtetit ka njoftuar gjithashtu se protestuesit mund të bllokojnë akse të ndryshme rrugore në zonat përreth Kryeministrisë.

Në njoftim theksohet se, edhe pse protestat shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt dhe tubimi mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar devijime të trafikut dhe mbyllje rrugësh.

Ambasada Amerikane u rekomandon qytetarëve të saj të qëndrojnë vigjilentë, të monitorojnë mediat lokale për informacionet më të fundit dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve të rendit. Po ashtu, këshillohet shmangia e shpërqendrimeve në publik, mbajtja e një profili të ulët dhe të pasurit gjithmonë një plan emergjence.

Postime të lidhura