Aplikacion
Pas arratisjes së bujshme të Altin Ndocit, autoritetet kanë zhvilluar pasditen e sotme kontrolle të imtësishme në ambientet e burgut të Durrësit, ku ai mbahej i paraburgosur.
Burime zyrtare bëjnë me dije se njësi të Forcave Operacionale të Policisë së Burgjeve janë nisur nga Tirana drejt Durrësit, me qëllim verifikimin e kushteve të sigurisë në institucion dhe mbledhjen e të dhënave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të arratisjes.
Kontrollet janë fokusuar kryesisht në qelinë ku qëndronte Ndoci, si edhe në identifikimin e personave që ndanin të njëjtin ambient me të. Hetuesit po përpiqen të kuptojnë nëse ndonjë prej tyre ka pasur dijeni për planin e arratisjes apo ka luajtur rol ndihmës në realizimin e saj.
Deri në këtë fazë të hetimeve, nuk janë konstatuar prova konkrete që të hedhin dritë mbi mënyrën se si është organizuar largimi i tij, apo mbi personat që mund ta kenë ndihmuar nga brenda apo jashtë institucionit.
Altin Ndoci u arratis mesditën e sotme në momentin kur ishte dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në spitalin e burgut. Ai dyshohet se është i lidhur me grupin kriminal të njohur si organizata e Çopjave, çka e bën ngjarjen edhe më shqetësuese për autoritetet.
Ndërkohë, kërkimet për kapjen e tij vijojnë, ndërsa strukturat përgjegjëse po hetojnë edhe përgjegjësitë e mundshme të personelit të burgut dhe forcave shoqëruese./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari