zoom

Aktualitet

I akuzuar për 4 vrasje dhe lidhje me Talo Çelën/ Kush është Altin Ndoci, 39-vjeçari që u arratis sot

I akuzuar për 4 vrasje dhe lidhje me Talo Çelën/ Kush është Altin Ndoci, 39-vjeçari që u arratis sot

Arratisja e Altin Ndocit nga ambientet e spitalit të Durrësit ka ngritur alarmin tek autoritetet, duke rikthyer në vëmendje profilin kriminal të një personi të konsideruar me rrezikshmëri të lartë. 39-vjeçari ishte i shoqëruar nga Policia e Burgjeve për kontrolle mjekësore, kur përfitoi nga rrethanat për t’u larguar.

Në një reagim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmoi se efektivët kanë tentuar ta ndalojnë, por pa sukses, ndërsa operacioni për kapjen e tij vijon në disa qytete.

Ndoci mbahej në paraburgimin e Durrësit dhe rezulton një emër i njohur për drejtësinë. Ai është nën hetim nga SPAK dhe përfshihet në dosjen voluminoze penale ndaj organizatës kriminale të njohur si “Çopja”, e drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, si dhe nga Talo Çela.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Altin Ndoci dyshohet se është rekrutuar nga Talo Çela dhe ka luajtur rol aktiv në përkrahjen e tij gjatë viteve 2020–2021 në disa qytete të vendit. Emri i tij lidhet me ngjarje të rënda kriminale, përfshirë vrasje dhe tentativa vrasjeje, të kryera në kuadër të veprimtarisë së një grupi të strukturuar kriminal.

Ndaj tij rëndojnë akuza të shumta, mes tyre vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave, mbajtje dhe prodhim pa leje armësh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje veprash penale në bashkëpunim të posaçëm.

SPAK ka dërguar për gjykim procedimin penal ku përfshihen 33 të pandehur, mes tyre figura të rëndësishme të botës së krimit, zyrtarë të drejtësisë dhe punonjës policie, të dyshuar për korrupsion, shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorëve të krimeve.

Nga hetimet rezulton se organizata “Çopja” ka qenë e përfshirë në vrasje me pagesë, trafik ndërkombëtar të drogës, pastrim parash dhe korrupsion të zyrtarëve të drejtësisë dhe të policisë. Aktiviteti i saj kriminal shtrihej në Shqipëri dhe disa vende europiane, ndërsa një pjesë e të ardhurave dyshohet se janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe biznese në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar dhjetëra prona, llogari bankare dhe pasuri të tjera me vlerë të konsiderueshme./ Zoom.al

Postime të lidhura