Aplikacion
Disa efektivë të Policisë së Shtetit po sillen gjithnjë e më shumë si rrugaçë me uniformë, duke dhunuar qytetarë të pafajshëm nëpër rrugë, lokale e komisariate.
Rasti i fundit që vjen nga Rrësheni është një dëshmi tronditëse e një sjelljeje prej horrash të disa policëve të komisariatit të Rrëshenit.
Emirion Mandreja, një i ri nga Rrësheni që prej vitesh jeton në Itali, ka denoncuar publikisht një ngjarje të rëndë dhune që i ka ndodhur në këtë komisariat. Ai thotë se është rrahur barbarisht brenda ambienteve të policisë së shtetit nga shefi i komisariatit, Klodian Kondi dhe policët që ai ka në vartësi.

Shkaku, sqaron ai, është se nuk pranoi t’u thoshte policëve se çfarë pune bënte në Itali.
Ai ishte duke pirë kafe në Rrëshen dhe sapo ishte larguar për te makina që e kishte parkuar 100 metër në distancë nga komisariati, tre efektivë policie civile i janë afruar te makina dhe i kanë kërkuar dokumentat. Sipas Emirionit mes policëve ka qenë dhe Klodian Kondi, i cili mbante postin e Shefit të Komisariatit.

Ai tregon se situata u agravua kur Klodian Kondi e pyeti: “A jeton në Shqipëri?” dhe Emironi i tha: “Jo, jetoj në Itali”, por refuzoi t’i tregonte punën që bënte. Në këtë moment, sipas tij Klodiani e ka zbritur nga makina dhe e ka shoqëruar në komisariat, ku më pas efektivët e kanë dhunuar fizikisht.
“Më tha, m’u përgjigju mirë mua. Zotëri nuk jam i detyruar të të përgjigjem, i thashë. Më tha: ja se të detyroj unë dhe më zbriti nga makina. Më bëri një kontroll dhe më tha hajde në komisariat se atje të detyroj unë të tregosh”- tregon Emirioni.
Ai thotë se është shoqëruar me forcë në komisariat, është fyer, është qëlluar me grushte dhe shkelma, dhe i janë shkaktuar fraktura në fytyrë dhe gjymtyrë. Madje, një nga policët, Vladimir Lasku, e ka mbajtur nga krahët dhe e godiste në gjoks dhe bark. Një akt shtazarak që nuk ka asnjë justifikim në një shtet normal.

Pas kësaj Emirioni ka shpërthyer.
“I shava të gjithë! Atje më rrahën me grushte e shpulla. Vladimir Lasku më mbajti nga krahët dhe më çellonte me gju në gjoks dhe në bark. U thashë: Më mirë më vritni këtu se këtë unë do ta çoj deri në fund dhe ju do ta paguani, vetëm në vdeksha.”
“I thashë jam njeri i Lindita Nikollës dhe me tha s’më … as për ty as për Lindita Nikollën”, -vijon më tej ai.
Tronditëse është edhe tentativa për të fshehur dhunën. Sipas Emrionit, shefi i krimeve i ka kërkuar ta mbyllin me aq, por ai nuk ka pranuar dhe ka vendosur ta denoncojë publikisht.
Policia e Shtetit nuk ka reaguar ende për këtë rast të rëndë, që fatkeqësisht nuk është i izoluar. Pak ditë më parë një kamarier 18-vjeçar u rrah në sy të një polici nga miku i tij. Dhe policia bëri një reagim skandaloz dhe nuk arrestoi askënd.
Në vend që ta “shkrijë” komisariatin e Rrëshenit, drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda hesht. Ai ka zgjedhur të mbyllet në zyrën e tij e të mos komunikojë me publikun sa herë policët e tij sillen si horra dhe banditë. Dhe këtë mënyrë duket se do të ndjekë deri kur të zbresë nga karrigia ku është ulur./ Zoom.al