Aplikacion
Një ngjarje e rëndë dhune ka ndodhur në Bulqizë, pas një takimi elektoral të Partisë Demokratike.
Policia thotë se Xhelal Mziu dhe nipi i tij kanë dhunuar një person. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 13:00.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K. M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren,”- thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Një akt i tillë dhune në kohë fushate vjen pas ngjarjes së Elbasanit, ku sipas një denoncimi, Shkëlzen Hasanpapa, një individ me të kaluar kriminale brenda dhe jashtë vendit ka dhunuar brutalisht Avni Memën, i njohur si shofer i një ish-zyrtari të lartë shtetëror, pasi nuk ka pranuar të mbështesë kandidaten socialiste në Elbasan, Sara Mila.
Ndërkohë, disa ditë më parë, kandidati i PS-së në Kavajë dhunoi kryetarin aktual të partisë, për arsye të lidhura me zgjedhjet e 11 majit./ Zoom.al