zoom

Aktualitet

Plagosi me thikë pas sherrit bashkëmoshatarin, arrestohet 32-vjeçari. Detajet e krimit dhe motivet

Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar një 32-vjeçar, pasi akuzohet se ka plagosur me thikë një të ri. Ngjarja ndodhi në rrugën “Kadri Roshi”, teksa zbardhen edhe detaje të krimit dhe rrethanat paraprake.

“Plagosi me mjet prerës, një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta me të, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Kadri Roshi”, kishte ndodhur një konflikt gjatë të cilit ishte dëmtuar me mjet prerës një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore”, tha policia në njoftim zyrtar.

Dhe më tej sqaroi se si rezultat, u kap dhe u arrestua shtetasi E. L., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “plagosja e rëndë me dashje” dhe “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se 32-vjeçari, mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës shtetasin V. B., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”, bëri me dije policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/