zoom

Bota

Haga nxjerr urdhër-arresti për Netanyahun dhe liderin e Hamasit: Janë përgjegjës për krime lufte…

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka thënë se hënën se ka kërkuar lëshimin e fletarrestimeve për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe për liderët kryesorë të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Karim Khan tha se beson se Netanyahu, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe tre liderë të Hamasit – Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh – janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, së paku nga 7 tetori 2023.

Prokurori duhet të kërkojë lëshimin e fletarrestimeve nga një panel prej tre gjyqtarësh, të cilëve mund t’iu duhen deri në dy muaj kohë për t’i shqyrtuar provat dhe për të vendosur nëse mund pranohet kërkesa. GJNP, me bazë në Hagë, është duke i hetuar veprimet e Izraelit në territoret e uzurpuara në tre vjetët e fundit, si së fundmi edhe veprimet e Hamasit.

Duke folur për veprimet e Izraelit, Khan tha në një komunikatë se “ndikimet e përdorimit të urisë si mjet lufte, së bashku me sulmet e tjera dhe ndëshkimin kolektiv kundër popullsisë civile në Gazë, janë akute, të dukshme dhe shumë mirë të ditura…Ato përfshijnë kequshqyerjen, dehidrimin, vuajtjen e skajshme dhe numrin e madh të vdekjeve në mesin e popullsisë palestineze, përfshirë të foshnjave, fëmijëve të tjerë dhe grave”.

Në lidhje me veprimet e Hamasit më 7 tetor, ai tha se i ka parë vetë “skenat shkatërruese të atyre sulmeve dhe ndikimin e thellë të krimeve të pandërgjegjshme”. “Duke folur me të mbijetuarit, dëgjova se si dashuria brenda familjes, lidhjet më të ngushta mes një prindi dhe fëmije, ishin shtrembëruar për të shkaktuar dhimbje përmes mizorisë së kalkuluar dhe ligësisë ekstreme. Këto veprime kërkojnë përgjegjësi”, tha ai. /REL/