zoom

Aktualitet

Qeveria i hap rrugë prodhimit të armëve në Shqipëri

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar një draftligj që i hap rrugë prodhimit të armëve në Shqipëri.

Sipas dokumentit që ka dalë për konsultim, qeveria synon të krijoj një shoqëri shtetërore për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve etj, me emrin “Kayo”.

Në realicionin shpjegues që shoqëron projektligjin thuhet se vetëm përmes një shoqërie të tillë mund të aktivizohen dhe funksionojnë mekanizmat e nevojshëm për rivitalizimin e kapaciteteve të trashëguara të industrisë ushtarake, në kuadrin e dinamikave aktuale në ambientin ndërkombëtar strategjik të sigurisë, vendimet dhe standardet e NATO-s.

Shoqëria thotë drafti, ka të drejtë të hyjë në marrëdhënie me palët e treta, subjekte shtetërore ose private, vendase apo të huaja në të gjitha fazat e zhvillimit të veprimtarisë së saj, në përputhje me kriteret dhe procedurat e caktuara me këtë ligj.

Shoqëria do të jetë nën juridiksionin e ministrisë së Mbrojtjes dhe siç thotë ligji ka dhe interesa tregtarë dhe ekonomikë. Kayo do të mbështetet nga buxheti i shtetit dhe do të ketë lehtësira fiskale.

Efektet fillestare të këtij projektligji në momentin e krijimit të kësaj shoqërie janë në vlerën 300 milionë lekë dhe do të përballohen nga fondi rezervë.

Drafti vjen 3 muaj pas vizitës së presidentit ukrainas në Tiranë, Volodymyr Zelensky, ku i kërkoi Shqipërisë dhe Ballkanit të përfshihen në industrinë e prodhimit të armëve, për të përballuar agresionin rus.