Aplikacion
Një situatë shqetësuese po prek prej javësh personelin shëndetësor në vend. Mjekë, infermierë, sanitarë dhe staf drejtues denoncojnë se ende nuk kanë marrë pagën e muajit dhjetor 2025, pavarësisht se kanë vijuar punën pa ndërprerje, edhe gjatë festave të fundvitit dhe në kushte emergjencash civile.
Sipas denoncimeve të mbërritura në redaksinë e “Zoom.al”, problemi prek jo vetëm shërbimin në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por edhe spitale të tjera në rrethe.
Punonjësit e shëndetësisë shprehen se ndihen të injoruar nga institucionet përgjegjëse, ndërsa përpjekjet për të marrë shpjegime mbi vonesën e pagave kanë hasur vetëm në heshtje.
“Na kërkohet të jemi gjithmonë në vijën e parë, por kur vjen puna te paga, askush nuk jep përgjigje. Kujtohen për ne vetëm për foto dhe reklama”, shprehen punonjës të shëndetësisë në mesazhin e dërguar pranë “Zoom.al”, të cilët e konsiderojnë situatën skandaloze dhe fyese për një shërbim jetik për qytetarët.
Personeli shëndetësor thekson se vonesa e pagave rëndon drejtpërdrejt jetën e tyre familjare dhe morale, ndërkohë që përgjegjësitë dhe ngarkesa e punës mbeten të pandryshuara.
Deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga institucionet përkatëse lidhur me arsyet e kësaj vonese dhe as për afatin se kur pagat do të kalohen./ Zoom.al