Aplikacion
Një situatë e tensionuar është regjistruar sot në ambientet e selisë së Partisë Demokratike, ku një debat i ashpër ka shpërthyer mes dy drejtuesve lokalë të degëve të Fushë-Krujës dhe Krujës dhe sekretarit organizativ të PD-së, Flamur Noka.
Mësohet se përplasja ka nisur pas kundërshtimeve të ngritura nga drejtuesit e dy degëve, të cilët nuk kanë qenë dakord me vendimin për bashkimin e strukturave të tyre lokale në një njësi të vetme organizative. Ky vendim ka sjellë pakënaqësi dhe debate të forta mes palëve.
Situata brenda sallës është përshkallëzuar me tone të larta, aq sa diskutimi është dëgjuar edhe jashtë ambienteve të mbledhjes. Në takim ka qenë i pranishëm edhe deputeti i zonës, Arjan Ndoja, i cili është përfshirë në diskutime gjatë përplasjes.
Për të ulur tensionet dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, ka ndërhyrë kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili ka kërkuar qetësim të situatës dhe vijimin e mbledhjes në normalitet.
Mbledhja pritej të ishte pjesë e një takimi më të gjerë me koordinatorët dhe drejtuesit politikë të partisë, por ngjarja ka sjellë ndërprerje të përkohshme të diskutimeve./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit