zoom

Aktualitet

Përplasje me armë në lokal, si u qëllua me plumb në kokë biznesmeni! Misteri i personit të plagosur, identifikohet autori

Përplasje me armë në lokal, si u qëllua me plumb në kokë biznesmeni! Misteri i personit të plagosur, identifikohet autori

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Sarandë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri biznesmeni Rexhep Ismaili.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 në zonën e “Qafë Gjashtës”, në lokalin në pronësi të viktimës. Dyshohet se konflikti mes disa personash ka nisur fillimisht me sende të forta dhe më pas është përshkallëzuar me përdorimin e armëve të zjarrit.

Për pasojë, ka humbur jetën 66-vjeçari Rexhep Ismaili, njëkohësisht kryetar i Shoqatës Çamëria në Sarandë, i cili u qëllua me plumb në kokë.

Policia bën me dije se gjatë përplasjes dyshohet të jetë plagosur edhe një person tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.

Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se autor i vrasjes është shtetasi Lulzim Tabaku, i cili pas krimit është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë në konflikt dhe me të plagosurin e dyshuar.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe personave të tjerë të përfshirë në ngjarje. Njëkohësisht, po kryhen kontrolle edhe në spitalet rajonale dhe klinikat private për identifikimin e personit të plagosur.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Postime të lidhura