zoom

Aktualitet

Përplasja me armë në Mamurras/ Në pranga djali i ish-deputetit të PD

Përplasja me armë në Mamurras/ Në pranga djali i ish-deputetit të PD

Një tjetër detaj ka dalë nga ngjarja e rëndë e regjistruar në Mamurras, ku një operacion policor për arrestimin e një personi në kërkim ndërkombëtar u shoqërua me shkëmbim zjarri dhe një të plagosur.

Në automjetin ku ndodhej 23-vjeçari Leonard Dema, i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane dhe i dënuar për tentativë vrasjeje, ishte edhe një tjetër person i identifikuar si Amadeo Fufi.

Ky i fundit rezulton të jetë i arrestuar nga policia në vendngjarje dhe sipas raportimeve, është djali i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Mhill Fufi.

Policia organizoi aksionin për të kapur Demën, për të cilin kishin informacion se ndodhej në një pikë karburanti.

Sipas versionit zyrtar, Dema ka tentuar të largohet me automjet dhe ka rrezikuar efektivët e policisë, ndërsa personi tjetër në makinë ka nxjerrë armë zjarri duke i drejtuar policisë. Në këto kushte, forcat operacionale kanë reaguar me armë, duke plagosur 23-vjeçarin.

Ai është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdes mjekësor dhe jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, Amadeo Fufi është arrestuar në vendngjarje dhe ndaj tij është sekuestruar një armë zjarri pistoletë./ Zoom.al

Postime të lidhura