Aplikacion
Zbardhen detaje të reja nga plagosja e ndodhur pasditen e sotme në Mamurras, gjatë një operacioni të Policisë së Shtetit.
Sipas informacioneve zyrtare, qëllimi i operacionit ishte arrestimi i Leonard Demës, 23 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me shtatë vite burg për tentativë vrasjeje.
Policia kishte marrë informacion mbi vendndodhjen e tij dhe ndërhyri në një pikë karburanti përgjatë aksit Mamurras–Laç për ta vënë në pranga. Por, sipas autoriteteve, i riu ka tentuar të largohet duke rrezikuar efektivët me automjetin që drejtonte.
Në të njëjtën kohë, personi që ndodhej me të në makinë, shtetasi me inicialet A.F., dyshohet se ka nxjerrë armë zjarri dhe ua ka drejtuar forcave të policisë.
Në kushtet e vetëmbrojtjes, efektivët kanë hapur zjarr, duke plagosur Leonard Demën. Ai u transportua menjëherë drejt Spitali i Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, 28-vjeçari A.F. është arrestuar nga policia. Gjatë kontrollit, uniformat blu sekuestruan edhe një armë zjarri pistoletë që dyshohet se mbahej prej tij./ Zoom.al