zoom

Aktualitet

Përkeqësohet situata/ Lumi Vjosa del nga shtrati, bllokohet aksi Gjirokastër- Kakavijë

Përkeqësohet situata/ Lumi Vjosa del nga shtrati, bllokohet aksi Gjirokastër- Kakavijë

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin që prej ditës së djeshme kanë krijuar një situatë problematike në disa zona. Si pasojë e prurjeve të larta, lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e pazarit, pranë Urës së Mifolit. Sipas të dhënave më të fundit, niveli i ujit ka arritur në 6.8 metra mbi nivelin e detit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje familjeve që banojnë pranë lumit të marrin masa paraprake dhe të qëndrojnë në gatishmëri për çdo rrezik të mundshëm. Ndërkohë, prurjet e larta që vijnë nga zonat e Gjirokastrës dhe Përmetit vijojnë të ndikojnë në rritjen e mëtejshme të nivelit të Vjosës.

Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse, ndërsa banorëve u kërkohet të respektojnë udhëzimet e emergjencave civile.

Në qarkun e Vlorës, rruga Kotë–Sevaster, në fshatin Vajzë, është bllokuar si pasojë e një shkarjeje masive. Dy banesa janë shembur, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Banorët këshillohen të shmangin lëvizjen në këtë segment dhe të përdorin rrugë alternative.

Po ashtu, për shkak të reshjeve intensive, aksi nacional Gjirokastër–Kakavijë është bllokuar në zonën e Kordhocës, përballë fshatit Lazarat. Grupet e punës ndodhen në terren dhe po punojnë për hapjen e qarkullimit.

Ndërkohë, në Kurbin janë evakuuar rreth 8 familje, ndërsa sipërfaqja e përmbytur në të gjithë qarkun vlerësohet rreth 2 600 hektarë, me rreth 150 banesa të rrethuara nga uji./ Zoom.al