zoom

In Zoom

Përgjimi për “21 janarin” dhe audio e Agron Xhafajt për drogën, dy standardet e Edi Ramës

Një audio e postuar nga gazetari Artan Hoxha, në lidhje me protestën e 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues, duket se do ta trazojë sërish politikën shqiptare, nëse transkriptet e tij përputhen me materialin audio.

Gazetari thotë se ka siguruar komunikimet me radio mes kreut të asajkohe të Gardës, Ndrea Prendi, zëvendësit të tij Artan Hoxha dhe një efektivi të speciales së Gardës, Alfred Ahmetcenaj. Në komunikim, sipas transkriptit të bërë nga gazetari, thuhet se Prendi ka kërkuar që të qëllohet mbi protestuesit sapo të thyejnë perimetrin.

Një fakt i tillë, që garda do të “zbatonte ligjin”, pra që do të qëllonte nëse protestuesit thyenin perimetrin e sigurisë, i ishte bërë i ditur nga Ndrea Prendi gjatë protestës edhe Zyhdi Dajtit, ish-komandant garde, një njohës i mirë i ligjit dhe i mënyrës si funksionon garda.

Gazetari Hoxha pretendon se Ndrea Prendi i komunikon vartësit të vet se në radio kërkon të flasë edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, por as ky komunikim nuk dëgjohet e madje për të s’ka as transkripte.

Gazetarët e Zoom.al e dëgjuan disa herë me radhë materialin, por pa mundur të kuptojnë asgjë nga komunikimi.

Gazetari thotë se i është kërkuar që t’i bëjë mbivendosje për të lidhur zërin me figurën.

Pavarësisht se asgjë nuk është e kuptueshme, kryeministri Rama e ka marrë të mirëqenë se përmbajtja është ajo që transkripton gazetari, pa bërë përpjekjen më të vogël për t’ia nënshtruar atë ekspertizës, siç bëri në rastin e përgjimit të pretenduar të Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili, sipas regjistrimit fliste për trafik droge.

Ja çfarë thoshte kryeministri në atë kohë, në maj të vitit 2018.

“Unë kam kërkuar nga një agjenci e specializuar ndërkombëtare ekspertizën shkencore të këtij materiale, dhe burimet e duhura zyrtare për mbledhjen e çdo informacioni të disponueshëm të agjencive përkatëse dhe partnerëve mbi çdo indicie të mundshme lidhur me vëllain e ministrit të Brendshëm. Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore të kryer në një ndër laboratorët më seriozë të botës, mua ajo përgjigje më mjafton. Po bëj një parantezë, jo për të bërtitur montazh-montazh. Po më mjafton për t’iu thënë juve se nuk jemi përpara një akti kompromentues të ministrit të Brendshëm po akti mashtrimi të një materiali autentik përmes të cilit synohet destabilizimi i qeverisjes dhe shkatërrimi i segmentit të fundit për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE.”

Po në rastin e përgjimit që pretendon gazetari Hoxha, a e ka kërkuar Rama ekspertizën shkencore nga i njëjti labotaror, që sipas tij është ndër më seriozët në botë?

Përmbajtja mund të jetë ajo që thotë gazetari Hoxha, por përse në këtë rast Rama nuk e verifikon, për të ndjekur standardin që vendosi në rastin e vëllait të ministrit të tij?

Por edhe pse përgjimi nuk dihet nëse është autentik apo nëse ka të njëjtën përmbajtje për të cilën flet gazetari, kryeministri Rama e ka marrë atë për të mirëqenë, duke e quajtur “fakt rrënqethës”.

“Homazhe në pritjen e pafundme që drejtësia të bëjë drejtësi, ndërkohë që e vërteta dihet botërisht dhe një fakt i ri rrënqethës sapo ka dalë në dritë…”, shkruan Rama në faqen e tij në Facebook.

Zoom.al po e publikon përgjimin e gazetarit Hoxha dhe transkriptin, për t’i treguar publikut se për çfarë bëhet fjalë. /Zoom.al

 

Postimi i plotë i Artan Hoxhës
Më në fund pas 12 vitesh, zbulohet regjistrimi audio, i urdhrave të dhëna nga Garda e Republikës për ekzekutimin e 4 protestuesve në Bulevardin “Dëshmoret e Kombit”….
Nje pjesë nga komunikimi në radio i drejtuesve te Gardës se Republikës ne momentin e vrasjeve te protestuesve, pasditen e 21 janarit 2011….
Kaseta nr.1 A
Komandanti i Gardes Ndrea Prendi:
“Te mbahen armët në dorë gati peë zjarr.
Të mbahen armët në dorë gati për zjarr në ajer.
Pastaj kur të them unë në trup”.
Ndrea Prendi:
“Artan(Artan Hoxho, zv/komandanti i Gardes) degjon?
Artan dëgjon?
Artan Hoxha zv/komandanti i Gardes:
“Degjoj, dëgjoj”
Ndrea Prendi:
“Me të kaluar gardhi i telave do hapet zjarr luftarak”.
Artan Hoxha:
“Kuptova, kuptova”
Ndrea Prendi:
“Ky eshte urdheri.
Dashamir degjuat?!
Dy efektiva te njesise speciale, Alfred(Alfred Ahmetcenaj)
ta ta ta gjakos(urdhëri për të vrare)”.
Audio:
“Menjëherë dëgjohen të shtena tek e tek, serish degjohen 8 të shtëna radhazi një nga një”.
Ndrea Prendi:
“Alfred?
Alfred Ahmetcenaj:
“Po degjoj(degjohen 2-3 te shtena tek e tek)”
Ndrea Prendi:
“Kujdes municionin!
Kujdes municionin!”
Ne vijim pauze e gjate ne radio.
Kaseta nr.1 B
Ndrea Prendi:
“Alfred degjon?”
Alfred Ahmetcenaj:
“Po degjoj”
Ndrea Prendi:
“Po afrohen shume.
Duhet te jeni gati per zjarr”.
Alfred Ahmetcenaj:
“Po te kuptova drejt”.
Ndrea Prendi:
“Alfred, grupi i njesise speciale, keta te porta numer 2”.
Alfred Ahmetcenaj:
“Po te kuptova”
Ndrea Prendi:
“Nje grup i vogel”.
Alfred Ahmetcenaj:
“Po ju kuptova”…..
…..
Komunikimet (urdhërat) janë dhënë vetëm me radio nga komandanti i Gardes per vartesit e tij.