Aplikacion
Misioni historik Artemis II është përmbyllur me sukses, pasi ekuipazhi u rikthye në Tokë pas një udhëtimi 10-ditor në hapësirë, të ndjekur nga afër nga NASA.
Kapsula hapësinore Orion hyri në atmosferë me një shpejtësi shumë të lartë, rreth 39 mijë km/orë. Gjatë kësaj faze kritike, komunikimi me Tokën u ndërpre për disa minuta për shkak të nxehtësisë dhe plazmës që krijohet gjatë rikthimit. Pas rikthimit të sinjalit, gjithçka vijoi sipas planit, ndërsa parashutat u hapën në kohën e duhur, duke mundësuar një ulje të saktë në Oqeanin Paqësor.
Menjëherë pas uljes, ekipet e shpëtimit ndërhynë për të siguruar kapsulën dhe për të asistuar astronautët. Ata dolën nga mjeti një nga një dhe u transportuan me helikopter drejt anijes ushtarake USS John P. Murtha.
Sipas të dhënave zyrtare, të katër astronautët janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Ata zbritën në këmbë, pa ndihmë, dhe u drejtuan për kontrolle të mëtejshme mjekësore si pjesë e procedurave standarde pas një misioni të tillë.
Ky ishte fluturimi i parë me ekuipazh në programin Artemis, që synon rikthimin e njerëzve në Hënë dhe më tej eksplorimin e planetëve të tjerë. Misioni shënon gjithashtu rikthimin e astronautëve pranë Hënës pas më shumë se pesë dekadash, duke hapur rrugën për objektiva edhe më ambiciozë në të ardhmen, përfshirë udhëtimet drejt Marsit./ Zoom.al