Aplikacion
Partia Demokratike ka paralajmëruar mundësinë për një grevë urie nga deputetët e saj, si formë proteste kundër asaj që e cilëson si “masakër zgjedhore” në votimet e 11 majit.
I pyetur nga gazetarët në përfundim të seancës parlamentare nëse greva e urisë është një opsion i mundshëm, kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh shkurt: “Të gjitha format e qëndresës janë të pranueshme”.
Në një deklaratë të bërë më herët, përpara nisjes së seancës së parë parlamentare pas zgjedhjeve, Berisha theksoi se opozita ka një strategji të vetme: rikthimin e votës së lirë për qytetarët shqiptarë.
“Strategjia e opozitës është përfaqësimi i kauzës së drejtë të shqiptarëve për votën e lirë. Ka vetëm një strategji, ka vetëm një objektiv: rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve në kushtet e një narkoshteti të dominuar tërësisht nga kartelet më të fuqishme në Europë”, u shpreh Berisha.
Opozita pritet të vijojë aksionin politik, ndërsa nuk përjashtohen as protesta më të ashpra në javët në vijim./ Zoom.al