zoom

Ekonomi

Pas sulmeve kibernetike të qeverisë, Rama prezanton asistentin virtual të e-Albania

Pa mbushur 24 orë nga sulmi maisv që bllokoi faqet online të qeverisë, kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot hapin e radhës në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve publike.

Ai njoftoi për “shërbëtorin digjital”, një asistent virtual (AVA) që do të ndihmojë qytetarët që përdorin e-Albania.

Fillimisht AVA do të jetë në versionin 1.0, vetëm në shkrim dhe më pas do të përmirësohet në versionin 2.0 me zë dhe figurë.
“Ne e dimë që në shumë raste ndodh që përdoruesit e sistemeve digjitale të kenë probleme, në Kadastër apo dhe në dokumente çfarëdo. Ambicia jonë është që këtë shërbëtor të qytetarit ta shtrimë edhe në platformën e bashkëqeverisjes, ashtu sikundër dua ta nënvizoj paraprakisht, asistenti që sot hyn në marrëdhënie me qytetarët përmes ndërveprimit me shkrim. Po përgatitet që pas një periudhe njohje me ta, të hynë në ndërveprim edhe në zë dhe në figurë, madje mos të jetë më thjesht ndihmësi që i drejton ata, por të jetë ai që e merr shërbimin për ta. Nuk do të jetë e largët dita, brenda vitit që po hymë. Qytetari do të kërkojë shërbimin dhe të gjitha procesit që bën vetë qytetari, të jenë me ndihmë e shërbëtorit qytetar. Në fund të kësaj fjalë të shkurt”, tha shkurtimisht kryeministri Rama.

Fjalën pas tij e mori drejtuesja e AKSHI, Linda Karçanaj e cila tha se ky projekt është bërë në bashkëpunim me Microsoft. Karçanaj shtoi se pas miratimit të strategjisë për teknologjinë do të miratohet edhe rregullorja për të.

“Kemi bërë të mundur që çdo qytetarë mund të bëjë një numër të caktuar pyetjesh brenda 1 ore. Nga pyetjet ne mësojmë problematikat dhe mund të përmirësojmë shërbimet dhe e-Albania. Shumë shpejt do të miratojmë edhe rregullat për përdorimin etik të kësaj teknologjie. Risi më e madhe do të jetë asistenti 2.0, me zë dhe figurë, brenda 2024-s”, tha drejtuesja e Agjencisë së Shërbimit të Informacionit.

Sipas imazheve, asistenti virtual do të jetë një derivat i ChatGPT. Një shërbim i tillë mund të sjellë edhe reduktim të personave që aksesojnë e-Albania nga zyrat e noterisë me pagesë apo gjetkë, për shkak të vështirësive.