zoom

Politikë

Pas “dushit” në grup, Basha mbledh mbështetësit e tij

Një ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u përball me një pakënaqësi të gjerë nga ana e deputetëve të tij në mbledhjen e grupit parlamentar, ku nuk munguan edhe kërkesat e drejtpërdrejtë për të marrë përgjegjësinë dhe për t’u larguar nga drejtimin i partisë.

Zërat kundër tij u shtuan edhe sot, teksa nuk munguan edhe dorëheqjet e tjera, siç ishte edhe ajo e Flutura Açkës.

Por i gjendur gjithnjë e më i vetmuar dhe izoluar në grupin parlamentar, kryedemokrati ka mbledhur sot Kolegjin e Kryetarëve, një forum në përbërje të të cilit janë kryesisht drejtues të partive që ose janë zgjedhur si propozime të vet Bashës, ose në rastin më të keq janë emëruar direkt prej tij.

Pjesë e kësaj mbledhje janë bërë edhe kandidatët e PD-së në zgjedhjet e 6 marsit, të cilët jo vetëm që nuk arritën të fitojnë asnjë bashki, por dolën edhe të fundit, me përjashtim të Rrogozhinës, ku përfaqësuesi i selisë blu doli i dyti.

Por edhe pse morrën rezultatin më negativ në gjithë historinë e partisë Demokratike, si drejtuesit lokalë të partisë ashtu edhe kandidatët humbës janë shfaqur sot krenar për garën elektorale që zhvilluan. Madje në reagime për mediat para mbledhjes ata jo vetëm që nuk morrën përsipër përgjegjësi personale, por i dolën në krah edhe kryedemokratit Lulzim Basha.

Sipas tyre humbja ishte rezultat i vjedhjes dhe blerjes së votave nga qeveria, ndaj Basha nuk ka pse ikën. /Zoom.al